Minxhozi: Situatën ta zgjidhë drejtësia

19/01/2011 20:20

Analisti i njohur i shtypit shqiptar, Skënder Minxhozi e konsideron si normale ndërhyrjen e Brukselit ndaj krizës politike që ka përfshirë Shqipërinë.

“Angazhimi i Brukselit është mëse normal, pasi në raste të ngjashme organizatat evropiane angazhohen për një drejtësi eficente, për të cuar në vend kuadrin e gjërave që janë në gjendje kaotike. Nëse shohim atë që thotë Brukseli dhe atë që po ndodh në Shqipëri, do t’i jepnim të drejtë Evropës”, ka deklaruar Minxhozi.

Sipas tij, është e rëndësishme që në një situatë të tillë, të ndezur edhe nga videoja Meta-Prifti, të ndërhyjë drejtësia.

“Sot ne kemi një pretendim të qeverisë për manipulim të videos, ndërsa opozita reklamon provat e saj, pra të gjithë elementët që cojnë në një situatë politike të ndezur nëse drejtësia nuk ndërhyn. Perëndimi kërkon që drejtësia shqiptare të ndërhyjë”, ka pohuar Minxhozi.

Minxhozi ka theksuar se do të ishte mirë që vlerësimin mbi orgjinalitetin e videos së publikuar nga emisioni “Fiks Fare” ta jepte drejtësia shqiptare dhe jo ajo ndërkombëtare.

“Dërgimi i videos tek ekspertët amerikanë mbetet një detaj thelbësor. Problemi i certifikimit të videos është konkret dhe parimor. Arbitri institucional duhet të flasë që të mos politizohet mbi të, problemi është që të flasë drejtësia”, ka nënvizuar Minxhozi.

Më tej ai ka komentuar edhe seancën e së hënës në Parlament, institucion ky që sipas tij ka hyrë në një rrugë degradimi.

“Një seancë e turpshme. Është një koment i thjeshtë por dhe më i vështirë duke parë degjenerimin e Parlamentit shqiptar, që e ka marë uji ashtu sic mori Buna Shkodrën. Parlamenti është degjeneratori kryesor i situatës politike në Shqipëri”, është shprehur Minxhozi.

Ndërsa protesta e opozitës, sipas tij, vjen pas një tensioni të akumuluar pas një kohe të gjatë dhe pjesëmarrja në të do të jetë e konsiderueshme.

“Opozita i kthehet protestave pas një periudhe relativisht të gjatë. Tensioni i lartë politik nuk fillon me videon dhe as ka për të mbaruar me të, por ka filluar që ditën kur janë mbyllur kutitë. Të gjithë këta elementë do prodhojnë një pjesëmarrje jo të vogël të njerëzve. Unë nuk pres që të shohim incidente”, ka deklaruar Minxhozi, i cili është shprehur i përmbajtur në parashikime.

“PS e llogarit protestën popullore si një moment për rekuperimin e kohës së humbur. Nëse do ketë një rënie të qeverisë, gjë për të cilën nuk jam shumë i sigurt, nuk është e qartë se si kjo do të bëhet. Gjithashtu, nuk dihet mirë se cila do jetë sjellja e opozitës pas protestës. Por, duket se do jetë një konvergim i asaj pakënaqësie popullore të konverguar tashmë”, ka shtuar Minxhozi.

Top Channel