Berisha, me 100 biznese drejt Milanos

18/01/2011 08:10

Rreth 100 biznesmenë shqiptarë që operojnë në fusha të ndryshme janë nisur sot në mëngjes me një avion special (charter) drejt Italisë, të shoqëruar nga Kryeministri Sali Berisha.

Takimi është organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë, me ftesë të kryetares së Bashkisë së Milanos, me të cilën pala shqiptare ka kryer disa bashkëpunime radhazi.

Përveç Kryeministrit shqiptar, i cili shoqërohet nga kreu i Dhomave, Ilir Zhilla, dhe rreth 100 biznese, në takim marrin pjesë nga pala italiane, ministri i Ekonomisë, Scajola, kryetarja e Bashkisë së Milanos, si dhe një sërë përfaqësues të lartë të administratës publike dhe biznesmenë të njohur.

I pyetur nga gazeta “Shqip”, Zhilla tha se takimi konsiderohet i niveleve të larta, për zhvillimin e të cilit janë marrë masat e duhura, në mënyrë që të shkojë sa më mirë.

“Takimi mes bizneseve të dy vendeve zhvillohet në kuadër të një projekti të përbashkët Itali-Shqipëri. Konferenca është e ndarë në dy pjesë, ku e dyta konsiderohet më e rëndësishme, pasi bizneset do të kryejnë takime direkte, kokë me kokë, për të parë nga afër mundësitë e rritjes së bashkëpunimit dhe lidhjes së kontratave të reja”, tha Zhilla.

Një mundësi projekti që pritet të realizohet së shpejti është përfshirja e bizneseve shqiptare në Bursën e Milanos, përmes partnerëve italianë.

Takimet do të mbyllen brenda ditës së sotme dhe parashikohet të zhvillohet me axhendë të ngjeshur, për t’u kthyer sërish në Tiranë, në darkë.

Top Channel