Ruci ofertë Berishës: Ik, largohu

17/01/2011 18:20

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci është shprehur skeptik për mbarëvajtjen e sesionit të ri parlamentar.

Duke folur në seancën e parë për vitin 2011, Ruci ka deklaruar se edhe ky sesion do të dështojë, për shkak të paaftësisë së kryeministrit Berisha për të qeverisur.

“Edhe ky sesion parlamentar, ashtu si të kaluarit, është i destinuar të dështojë për shkak të paaftësisë së kryeministrit për të qeverisur. Sot shqiptarët janë më të varfër se kurrë, më të shtypur se kurrë nga qeveria që është e zhytur në llumin e korrupsionit më të pashembullt në Evropë. Gjithashtu, shqiptarët janë të shtangur nga ajo që tregoi veprimin më të turpshëm të korrupsionit”, ka deklaruar Ruci.

Sipas tij, pasojat e kësaj keqqeverisjeje po i ndjejnë qytetarët shqiptarë, të cilët Evropa i la jashtë pikërisht për faj të pushtetit.

“Demokracia shqiptare është në rrezik, korrupsioni është thelluar, ekonomia është rrënuar, bizneset po falimentojnë, media kërcënohet nga qeveria dhe gjobitet nga taksidarët. Dhe së fundmi, BE na la pas dere për të gjitha këto. Sepse kemi një kryeministër dhe një qeveri të korruptuar. Një Parlament të perdhunuar nga pushteti”, ka theksuar Ruci.

Më tej shefi i deputetëve socialistë ka prekur edhe cështjen e hetimit të zgjedhjeve, të cilën sipas tij edhe pse e kërkoi faktori ndërkombëtar, e bllokoi kryeministri për të fshehur skemat e tij të manipulimit.

“Hetimin e zgjedhjeve e kërkoi BE, e kërkoi Departamenti i Shtetit, e kërkoi gjithë bota. Por Berisha nuk e lejoi atë. Sot i madh e i vogël e ka kuptuar se Saliu nuk lejoi hetimin e zgjedhjeve, sepse e ndalon frika se skema e manipulimit të votave që zbatoi ai dhe kusarët e tjerë në qeveri do të zbardhej. Kaq shumë frikë nuk mund të ketë një kryeministër, por vetëm një burracak që ka lepurin në bark”, ka theksuar Ruci.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit se, pavarësisht djegies së fletëve dhe mbylljes së listave në arkiv, opozita nuk do të tërhiqet nga beteja e saj.

“Zoti kryeministër, nëse mendon se hesapin e zgjedhjeve me opozitën e ke mbyllur, e ke gabim”, i është drejtuar Ruci Berishës, të cilit, duke e quajtur si një kryeministër në ikje, i ka bërë ofertën e fundit të opozitës. “Ik, largohu dhe hapi rrugë vendit. Largohu dhe hapi rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është oferta jonë e fundit, e shumicës së vërtetë shqiptare. Ke vetëm një rrugë, që ta pranosh atë”, ka shtuar Ruci.

Top Channel