Top Channel: Misioni ynë, informimi

16/01/2011 20:20

Duke marrë shkas nga deklarata e Partisë Demokratike, Top Channel shprehet se misioni i tij, si televizion kombëtar është informimi i publikut, bërja e transparencës mes publikut dhe qeverisë.

Në këtë kuadër, nuk është synimi i Top Channel që të bëhet pjesë dhe as të përfshihet në asnjë lloj debati politik, sikundër nuk është palë me asnjë parti dhe as merr urdhera nga asnjë forcë politike. Top Channel kryen vetëm misionin e tij si media.

Përmes emisioneve të tij dhe edicioneve informative, Top Channel publikoi dhe ripublikoi videon e bisedës Meta-Prifti, pasi aty denoncoheshin biseda për tendera dhe hidrocentrale, dyshohej për afera korruptive, të cilat i interesojnë çdo shqiptari përsa kohë tregohej se si ndahet pasuria jonë e përbashkët dhe paratë e taksapaguesëve shqiptarë.

Publikimi i videos nuk ka të bëjë me ndonjë qendrim ndaj një apo më shumë forcave politike, por me fenomenin për të cilin është angazhuar ta luftojë edhe vetë kryeministri Berisha dhe e gjithë shoqëria shqiptare: korrupsionin.

Një veprim që jo vetëm Top Channel, por çdo gazetar me integritet dhe parime profesionale në Shqiperi, dhe çdo televizion e media në vendet e botës se lire do ta kishte detyrim ta bënte, siç Top Channel e bëri.

Nuk është faji i lajmësit për lajmin!

Top Channel