Përfundon mbledhja e Asamblesë së PS-së

14/01/2011 15:30

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka dalë me një deklaratë të përbashkët nga mbledhja e sotme duke i bërë thirrje gjithë popullit opozitar me këtë qeveri që të bashkohen dhe më 21 janar të protestojnë për largimin e qeverisë.

“Asambleja i bëri thirrje qytetarëve pa dallim politik, studentëve dhe intelektualëve, mësuesve, mjekëve, ish-ushtarakëve dhe çdo shqiptari që ndihet në opozitë me qeverinë, që ditën e premte në 21 janar të fillojë lirimin e Shqipërisë nga e keqja që po mban peng drejtësinë, lirinë dhe demokracinë e vendit”, është shprehur deputeteti socialist Blendi Klosi.

“Asambleja ka shprehur angazhimin e vazhdueshëm për largimin e menjëhershëm të Sali Berishës si të vetmen rrugëzgjidhje për të dalë nga kriza, organizmin e zgjedhjeve të përgjithshme të lira dhe të ndershme të pacënuara nga korrupsioni i Saliut dhe ministrave që ka në qeveri. I bëjmë thirrje institucionit të drejtësisë që të hetojë korrupsionin që ka kapur shtetin, stabilitetin e vendit dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, tha Klosi.

“Asambleja Kombëtare e PS-së në datën 21 janar, do të fillojë një valë të madhe protestash duke filluar nga Tirana”, përfundoi Klosi.

Top Channel