Drejtësia me dy standarde

28/12/2010 16:00

Drejtësia shqiptare vazhdon të japë vendime kundër mediave dhe gazetarëve në tërësi.

Gjykata e Peshkopisë e la me detyrim paraqitjeje agresorin e trupës televizive të Top Channel në Bulqizë.

Duke treguar edhe një herë tjetër se në drejtësinë shqiptare ka dy standarde, atë që çdo gjyqtar e përdorë si të dojë ai.

Pak muaj më parë gjykata e Tiranës, e la në burg një prej biznesmenëve më të mëdhenj shqiptarë i cili kishte po ashtu të njëjtën akuzë, si edhe biznesmeni nga Bulqiza, dhunimin për shkak të detyrës të një gazetari.

Çështje kjo që u shoqërua edhe me një reagim publik të komunitetit të medias.

Më e pakta që mund të bënte gjykatësi në Peshkopi, ishte t’i referohej një vendimi të një gjykate më të specializuar siç është ajo e Tiranës, për një rast analog.

Policia ngriti katër akuza ndaj Adem Durici dhe siguroi provat materiale për të katërta, por asnjë nga këto akuza nuk e bindi gjyqtarin Ahmet Jankulli.

Prokuroria kërkoi arrest me burg, por gjyqtari, nuk dha as burg disa ditor, as arrest shtëpie, por i uli 4 shkallë të menjëhershme këtij vlerësimi.

Cilido gjykatës shqiptar që është njohur me vendimin kupton fare mirë se, si është vlerësuar kjo masë sigurie.

Juriste dhe kolegë të gjykatësit Jankulli mendojnë se më e pakta, ai mund të lihej në arrest shtëpie nëse do të kishte, ndoshta arsye shëndetësore.

Megjithatë ky vendim, flagrant në dëm të punës dhe misionit të gazetarëve por edhe flagrant me ligjin, nuk ka shkaktuar ndonjë reagim në institucionin e vetëm që monitoron punën e gjykatësve, siç është Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Të gjendur tashmë përballë këtij vendimi, ne mund të pyesim publikisht se zyrtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë se cili nga gjykatësit kishte të drejtë, ai që la në burg Rezart Taçin që goditi në një restorant gazetarin Mero Baze, apo ai që liroi Adem Duriçin që goditi dhe i theu kameran gazetarëve të Top Channel, ndërsa ishin duke filmuar për llogari të punës se tyre si gazetarë.

Top Channel