Berisha: Opozita nuk do hetim

28/12/2010 23:15

Audrey Glover, shefe e misionit të ODIHR-it gjatë zgjedhjeve të fundit, ka qenë një person i padëshëruar nga qeveria. Kjo gjë dihej, por për herë të parë kryeministri e ka akuzuar publikisht se ka bërë lojën e opozitës, si në zgjedhjet e kontestuara të vitit 96, edhe në zgjedhjet e vitit 2009.

Në këtë moment, sipas kryeministrit Berisha, Edi Rama është tunduar nga ideja e bojkotit, njësoj si në vitin ‘96.

Pra sipas kryeministrit, zgjedhjet ishin të lira. Në raportin e ODIHR-it zonja Glover nuk ka shkruar asnjë rresht. A ishte kjo pasojë direkte e presionit të Tiranës zyrtare? Në cdo rast raporti vëren përmbushjen e shumë standardeve por edhe të metat në numërim. Prej nga nis kërkesa e opozitës për një komision hetimor parlamentar për manipulimet e mundshme. Por kërkesa e socialistëve, sipas kryeministrit, ishte e mbështetur në dyshime dhe jo në fakte, sic e kërkon ligji.

Në këtë konferencë për shtyp kryeministri bëri edhe një bilanc të punës së qeverisë, duke folur për plot 105 minuta. Më pas, shefi i qeverisë shtroi një koktejl për gazetarët e pranishëm, me rastin e festave të fundvitit.

Top Channel