Rama në zyrën e Topit

21/12/2010 19:40

Lider i opozitës Edi Rama është takuar në mesditë me kreun e shtetit, Bamir Topi në zyrën e këtij të fundit.

Ndryshe nga sa mund të mendohet, biseda duket se është përqëndruar në çështje jashtë politikës së ditës, çka konfirmohet edhe nga njoftimi zyrtar i Presidencës që shkruan se “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti në mesditë me kërkesën e tyre kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe deputetin socialist të Qarkut të Beratit, Erion Braçe”.

Por njoftimi nuk jep shumë detaje rreth brendisë së bisedës, ku thuhet vetëm se “kryesocialisti Rama dhe deputeti Braçe e informuan presidentin e Republikës rreth një shqetësimi të tyre në fushën e drejtësisë”.

“Pasi i dëgjoi me vëmendje, kryetari i Shtetit dhe njëkohësisht kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, thuhet në njoftimin e shkurtër, i siguroi se institucionet e drejtësisë do të shqyrtojnë çështjen në fjalë me paanshmëri në funksion dhe në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

Top Channel