Biellorusi, 600 protestues në burg

21/12/2010 11:40

Në Biellorusi rreth 600 manifestues të opozitës, të cilët zbritën dje në sheshin e Minskut për të protestuar kundër presidentit Lukashenko, janë dënuar me 5 deri në 15 ditë burg.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat ndërkombëtare, të cilat citojnë shefin e policisë së Minskut.

Ndërkohë, presidenti iranian Mahmud Ahmadinejad ka uruar homologun Lukashenko për rizgjedhjen e tij për herë të katërt në krye të shtetit.

“Një tjetër faqe e artë do të shkruhet në historinë e nderuar të popullit të madh biellorus”, është shprehur Ahmadinejad.

Ditën e djeshme Lukashenko iu përgjigj ftohtë kritikave të ndërkombëtarëve për ushtrim dhune ndaj protestuesve.

“Në Biellorusi nuk ka për të patur revolucion apo kriminalitet. Quajeni si të doni. Këtu prioritetin absolut e ka siguria e popullit, rendi dhe qetësia. Këto janë gjërat që kërkon populli biellorus kur shkon të votojë për të zgjedhur presidentin e tij”, tha ai.

Top Channel