Rusia paralajmëron SHBA për armët bërthamore

20/12/2010 19:35

Rusia paralajmëroi ligjvënësit amerikanë se çdo ndryshim që ata mund të përpiqen të imponojnë në traktatin e rënë dakord për reduktimin e armëve bërthamore, mund të shkaktojë prishjen e marrëveshjes.

Deklarata kërcënuese u bë gjatë pasdites prej Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov. “Traktati Start nuk mund të rihapet apo të bëhet subjekt i bisedimeve të reja midis të dy shteteve. Rusia nuk do të pranojë asnjë ndryshim të ri, rreth një marrëveshje të arritur më parë”, deklaroi Lavrov në agjensinë e lajmeve “Interfax”.

Republikanët në Senat kanë bllokuar ratifikimin e traktatit, i cili kërkon një aprovim prej të paktën 2/3-ash. Në shtypin amerikan u përhapën në ditët e fundit fjalë se republikanët do të jepnin votën e tyre në favor vetëm nëse do të bëheshin disa ndryshime, pas deklaratave të disa senatorëve që kërkuan rishikime.

”Traktati Start, i cili është hartuar mbi bazën e reciprocitetit, i plotëson tërësisht interesat kombëtarë të Rusisë dhe SHBA-së”, shtoi Ministri i Jashtëm. “Ai është i plotë dhe nuk ka arsye për t’u modifikuar”.

Senatori republican Jon Kyl nga Arizona deklaroi të dielën se “traktati duhet të rishikohet”. Fjalët e tij u mbështetën prej Mitch McConnell, prej shtetit të Kentakit. Kalimi i traktatit Start në Senat është shndërruar në një test të rëndësishëm për politikën e jashtme të presidentit Barack Obama.

Pavarësisht spekulimeve. një burim brenda demokratëve deklaroi se numri i nevojshëm i senatorëve është bindur dhe do të votojnë pro. Nëse marrëveshja do të hyjë në fuqi, SHBA dhe Rusia do të shkatërrojnë secila 1 550 armë bërthamore të Luftës së Ftohtë, ose 30% më pak se një kufi maksimal i vendosur tetë vjet më parë mes shteteve. Obama i bëri thirrje senatorëve gjatë javës së shkuar se Traktati Start është jetik për sigurinë e vendit, përballë të papriturave që mund të rezervojë e ardhmja.

Gjatë pasdites, presidenti amerikan telefonoi personalisht secilin prej senatorëve, për t’i kërkuar votën e tyre pro. 57 senatorë demokratë janë pro ratifikimit, por administratës në fuqi i duhen edhe votat e dy të pavarurve e shtatë republikanëve, për të arritur kuotën e 66 votave të kërkuara. Me përfundimin e vitit, përbërja e Senatit do të ndryshojë me maxhorancës që do t’i kalojë republikanëve, çka do ta bëjë edhe më të vështirë kalimin e Start-it.

Top Channel