Papa: Kisha, asnjëherë kaq e poshtëruar

20/12/2010 18:00

Papa Benedikti XVI deklaroi nga Vatikani gjatë pasdites se Kisha duhet të reflektojë thellësisht për përgjegjësinë e saj në abuzimet seksuale me të mitur, por ai dënoi edhe shoqërinë në të cilën jetojmë, për keqtrajtimin e vazhdueshëm të fëmijëve.

Në fjalimin e tij tradicional të pragut të Krishlindjeve përpara kardinalëve dhe arqipeshkëve, Benedikti pranoi se gjatë vitit 2010, abuzimi me fëmijët arriti përmasa të paimagjinueshme, të cilat i sollën Vatikanit një poshtërim të paprecedent.

“Duhet të pyesim veten se çfarë shkon gabim me mënyrën se si jetojmë jetën tonë kristiane, se si ka mundësi që gjëra të tilla shokuese të kenë mundësi të ndodhin”, tha Papa gjatë fjalimit.

“Shkatërrimi psiqik dhe fizik i shumë të miturve, është një fenomen tronditës, por fatkeqësisht edhe shumë i përhapur në ditët tona. Të gjithë qëniet njerëzore duhet të ulen dhe të mendojnë se si mund të kontribuojnë më mirë për të zgjidhur këtë problem”.

Pasi cilësoi pedofilinë si një krim të barabartë me atë të vrasjes, mëkëmbësi i Zotit deklaroi: “Në vitit 1970, pedofilia konsiderohej ende si një krim i kryer prej atyre njerëzve që devijonin nga mënyra standarte e jetesës, por në të vërtetë, ai është një problem shumë serioz i shoqërisë”.

Skandali i abuzimit të priftërinjve me të mitur shpërtheu për herë të parë në vitin 2002. Që prej atëherë, ai ka fituar një përmasë botërore, ndërsa me mijëra persona në Europë dhe botë kanë pretenduar se janë abuzuar nga Kisha në të kaluarën.

Top Channel