Festat e fundvitit, kthehen emigrantët

19/12/2010 14:05

Ka nisur flusi i kthimit të emigrantëve në atdhe për festat e fundvitit.

E ndërsa autoritetet kufitare pas 15 dhjetorit prisnin ndryshim në kahun e lëvizjeve, kjo fundjavë ka treguar se numri i atyre që lënë vendin është normal. Ditën e shtunë hynë në vend përmes vendkalimit kufitar të portit detar të Durrësit 2000 persona, ndërsa dolën 120 të tjerë, 42 prej të cilëve me pasaporta biometrike pa viza.

Ndërkaq dita e sotme ka rregjistruar një fluks edhe më të madh hyrjesh në vend nga kjo pikë kufitare. Me pesë tragetet e linjës detare Bari/Durrës kanë hyrë gjatë paradites së sotme afro 4600 persona, ndërsa gjatë orëve të pasdites e mbrëmjes pritet të ankorohen edhe tre tragete të tjerë. Me tragetet e mbrëmjes parashikohet të mbërrijnë dhe 2000 pasagjerë të tjerë.

Policia e kufirit dhe dogana kanë shtuar sportelet për të përpunuar në kohë këtë fluks në hyrje të emigrantëve, që pritet të rritet ndjeshëm gjatë fundjavës së ardhshme.

Top Channel