Wikileaks: Presidenti Sudanit vodhi miliarda

18/12/2010 10:35

Wikileaks zbulon se presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir akuzohet se ka
përvetësuar nëntë miliardë dollarë nga fondet e vendit të tij, për t’i
vendosur më pas në llogari personale bankare.

Faqja e drejtuar nga i shumëpërfoluri Julian Assange, publikoi këtë informacion nga dokumentet e një diplomati amerikan, i cili i referohej Kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, Luis Moreno Ocampo.

Paratë u depozituan në një bankë në Londër. Sudani nuk vonoi për të cilësuar këto deklarime si shpifje dhe të pavërteta, ndërsa mediat në vendin me territorin më të madh në Afrikë u ndaluan të raportonin ngjarjen.

“Ocampo deklaroi se shuma e saktë e parave që kishte përvetësuar Bashir nuk mund të zbulohej, por ishte i bindur se bëhej fjalë për rreth nëntë miliardë dollarë. Nëse opinioni publik sudanez do ta mësonte këtë, do të ndryshonte menjëherë mendimin për presidentin nga reformator, në një hajdut”, shkruante diplomati në dokumentin në fjalë.
“Ocampo sugjeron se Banka Lloyds në Londër mund të ketë në llogaritë e saj këtë shumë, ose nëse jo duhet të dijë vendndodhjen se ku është depozituar”.

Ashtu si qeveria sudaneze, edhe Lloyd reagoi duke kundërshtuar spekulimet. “Nuk ka absolutisht asnjë provë që të tregojnë lidhjen e grupit tonë financiar me Zotin Bashir. Banka jonë nuk ka si pjesë e politikës së saj operacione që kanë një sfond të dyshitë ligjor”.
Bashir është nën hetim nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për shtatë akuza të krimeve kundër njerëzimit për masakrat në krahinën e Darfurit dhe tre akuza genocidi.

Top Channel