Bjellorusi, protesta kundër pushtetit

18/12/2010 10:00

Një numër i shumtë protestuesish pushtuan rrugët e Minskut gjatë
mëngjesit, për të vazhduar protestën e nisur që një ditë më parë në
kryeqytetin e Bjellorusisë.

Një javë përpara zgjedhjeve presidenciale, situata nuk duket aspak e qetë në ish-Republikën Sovjetike. Situata u tensionua edhe nga vrasja e një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të një prej rivalëve të Lukashenko-s.

Sipas protestuesve, propaganda shtrënguese dhe presionet qeveritare po pengojnë zhvillimin e një fushate normale elektorale, edhe pse asnjëherë më parë nuk ka patur një liri më të madhe për të konkurruar në këtë vend.

Lukashenko, i cili mban pushtetit që prej vitit 1994, do të rivalizohet nga nëntë kandidatë të tjerë, diçka e paprecedent. Në një vend që nuk ka media të tjera të rëndësishme veç asaj shtetërore, të gjithëve u janë lejuar kohë e gjatë në debatet televizive, edhe pse presidenti në fuqi nuk ka marre pjesë në to.

I parë prej Europës, si një vend veçanërisht i mbyllur dhe prorus, këto tolerime të vogla duket se janë një strategji e Lukashenko-s për të krijuar një imazh më të hapur dhe bashkëpunues të vendit të tij.

“Lukashenko i ka bëre tolerime perëndimit në këto zgjedhje për të krijuar një fasadë demokratike”, deklaroi analisti i pavarur politik, Aleksandr Klaskovsky. “Por, në këmbim, ai ka krijuar edhe një makineri që diskretiton vazhdimisht rivalët”.

Një reportazh i televizionit shtetëror portretizoi stafin elektoral të rivalit kryesor, Vladimir Neklyayev, si një grup vagabondësh, homoseksualësh, pedofilësh, të degjeneruarish dhe të droguar.

“Propaganda qeveritare është duke u përpjekur që të poshtërojë të gjithë kandidatët e tjerë në çdo mënyrë që mundet”, protestoi Neklayev.

Top Channel