
Presidenti i Interit, Massimo Moratti kërkoi përqendrim nga skuadra e tij, përpara finales së Botërorit të Klubeve, në plan për t’u zhvilluar të shtunën.
Zikaltërit do të përballen në finalen ndaj kampionëve të Afrikës, kongolezëve të Mazembes, në një ndeshje që pritet të jetë e thjeshtë për t’u fituar.
Megjithatë, ky nuk është mendimi i Moratit: “Një finale është gjithmonë një finale, gjithçka mund të ndodhë. Afrikanët janë një skuadër shumë simpatike, që kanë bërë një punë të shkëlqyer deri këtu. Duhet përqendrim për të dhënë më të mirën”.
Pas fitores 3-0 ndaj koreanëve të Seongham, presidenti ndihet optimist dhe i kënaqur me formën aktualeve të djemve të tij. “Në fushë ishim shumë kompaktë. Kapiten Zaneti është një lojtar madhështor. Di të bëjë diferencën në çdo ndeshje. Milito mbetet thelbësor për këtë skuadër, por pashë gjëra të mrekullueshme edhe nga Eto’o”.
Komplimente edhe për trajnerin, Rafael Benitez. “U tregua shumë i aftë për të marrë në dorë një situatë aspak të lehtë. Psikologjikisht ka bërë një punë shumë të mirë. Unë kam besim tek ai dhe jam i sigurt që do të vazhdojë të bëjë një punë të mirë”.
Në mbyllje të deklaratës, Moratti u ndal edhe në çështjen e merkatos e deklaratave të Agnelli-t. “Ranochia dhe Cassano? Lexoj se jemi pranë, por në të vërtetë nuk ka asnjë tratativë. Agnelli? Nuk e kuptoj ku dëshiron të dalë me ato deklarata, por është e qartë se unë kam një mendim krejt tjetër”.
Top Channel