Polici i FNSH plagos 35-vjeçarin

12/12/2010 11:40

Një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi ka plagosur me armë një 35-vjeçar për shkak të një konflikti pronësie.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, ndërkohë që dy të dëmtuarit nga kjo ngjarje ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia e Tiranës deklaroi se u arrestuan Ylli Ceka, 41 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë punonjës policie, pranë Repartit 712 në Tiranë dhe Julian Pusha, 30 vjeç, me banim në Tiranë.

Arrestimi i specialit të policisë u krye, sepse rreth orës 15.00, në vendin e quajtur ‘Fresku’, pranë një pallati në ndërtim, së bashku me dy vëllezërit e tij, ka tentuar të vrasë me armën e shërbimit pas një konflikti, 35-vjeçarin Edvin Vogli, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Fillimisht dyshohet se grindja ka ndodhur për motive pronësie. Vogli është konfliktuar me punonjësin e policisë dhe dy vëllezërit e tij. Gjatë konfliktit, 35-vjeçari ka plagosur me levë Bashkim Cekën, 44 vjeç, vëllai i policit, i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq, në plagosjen e Cekës ka marrë pjesë edhe Julian Pusha, që ishte me Voglin. Për këtë arsye, policia ka arrestuar fillimisht Pushën, ndërkohë që polici Ylli Ceka ka plagosur me armën e punës Voglin. Ky i fundit është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia tha se për plagosjen e tij u arrestua Ylli Ceka, ndërkohë që në bashkëpunim me prokurorinë po punohet për sqarimin e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.

Top Channel