Londër, studentët sërish në protesta

10/12/2010 02:00

Kanë marrë sërish kthesë të dhunshme protestat studentore në Londër kundër propozimit të qeverisë për rritjen e tarifave të regjistrimit në universitete.

Tre punonjës të Ministrisë së Arsimit kanë dhënë deri më tani dorëheqjen për shkak të kësaj çështjeje, të konsideruar një nga sprovat më të mëdha për koalicionin në pushtet.

Përleshjet më të ashpra mes të rinjve dhe policisë ishin ato përpara ndërtesës se parlamentit. 6 agjentë policie kanë mbetur të plagosur.

Me një diferencë prej 21 votash, ligjvënësit britanikë miratuan  propozimet e qeverisë për rritjen e taksës së regjistrimit në universitet.

Në momentin që u mësua lajmi i aprovimit, plasi revolta e studentëve që po prisnin ne shesh, ndërsa episodet e dhunës nuk kishin munguar edhe më parë gjatë ditës.

Qeveria pretendon se rritja e tarifave gati në trefish është e pashmangshme në mënyrë që të investohet në sistemin universitar.

Të rinjtë sulmuan edhe makinën e princit Charles, duke i thyer njërin nga xhamat, por as ai vetë e as bashkëshortja Kamila nuk pësuan gjë.

Kryeqyteti britanik, thonë mediat vendase, është kthyer në një shesh të vërtetë beteje. Kjo është vetëm e fundit e një vargu protestash kundër planit që do ta bëje pagesën vjetore rreth 14 mijë dollarë.

Top Channel