Rama: Plani i PS, 13 miliardë lekë

09/12/2010 16:25

Pas diskutimeve të fundit me ekspertë, paketa e masave antipërmbytje e Partisë Socialiste ka marrë formë përfundimtare. Por që të ketë efekt të shpejtë, duhet shoqëruar, sipas kryetarit Rama, me një operacion rehabilitues në argjinatura, infrastrukturën e kullumit dhe shtretërit e lumenjve, në Shkodër, Lezhë, Lac, Fushë-Krujë, Durrës, Elbasan, Korcë, Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastrë. (UPDATE)

Fondet për këtë operacion, sipas socialistëve, duhet marrë nga zëra të tjerë brenda buxhetit të shtetit të vitit 2011. Nga ministria e punëve publike mund të merren 11.22 mld lekë nga programi i rrugëve nacionale, 978 mln lekë nga programi i sistemim-asfaltimeve, 22 mln lekë nga programi i ndërtimit të urave dhe mbikalimeve, 300 milionë lekë nga programi studime e projektime. Nga ministria e financave mund të meren 470 milionë lekë dhe nga ministria e ekonomisë 30 mln lekë.

“Ne kemi një total prej 13.02 mld lekë dhe gjithë këto shpenzime që ne i parashohim si plotësisht të mundshme, nëse hiqet dorë nga tradita e shëmtuar e prerjes së shiritave elektoralë, janë plotësisht të mundshme për ta futur në një rrugë tërësisht të re një proces të mirëmbajtjes së territorit që tani ka shkarë plotësisht nga duart e qeverisë”, tha Rama.

Zoti Rama tha se këto propozime do të dikutoheshin pasditen e së enjtes në Kuvend, por anulimi i seancës u bë për t’i mbyllur gojën opozitës:

“Sot Saliu dhe Jozefina mbyllën Parlamentin për të mos u përballur me propozimin e opozitës. Por faji i qeverisë nuk mbulohet duket fikur dritat e sallës së parlamentit”, tha Rama.

Por kryesia e Kuvendit vuri në dispozicion një kopje të proces-verbalit të konferencës së kryetarëve, ku deputetët socialistë Namik Dokle dhe Saimir Tahiri, sipas saj, shprehen se “nëse situata është aq e rëndë sa të mos zhvillohet seanca të enjten, ata janë dakord”, kurse kryetarja e Kuvendit Topalli ua kthen se meqë ranë dakort, ajo do t’i njoftojë një ditë përpara të enjtes se cfarë do të bëhet me seancën, për të mos i mbajë peng.

Deputeti Tahiri tha si reagim se konferenca e kryetarëve për të vendosur nëse do bëhej seancë parlamenare apo jo të enjten, nuk u zhvillua fare.

“Sqarojmë opinionin publik se mbledhja e konferencës së kryetarëve, për të bërë apo jo seancë parlamentare sot, nuk është zhvilluar kurrë”, ka deklaruar ai.

Top Channel