Vetëgjyqësi në spital

08/12/2010 19:45

E mërkura e 1 dhjetorit ishte shumë e ngarkuar për gazetarët dhe një incident  i ndodhur brenda ambienteve të QSUT-së kaloi pa u vënë shumë re. Një mjek ishte goditur nga një familjar i një pacienti, por kjo nuk përbën më çudi në Shqipëri, ndaj lajmet u fokusuan tek të tjera çështje.

Por çfarë ndodhi vërtetë mes mjekut Edvin Prifti dhe familjarit Robert Rama?

Besim Bozhaj është nëndrejtori i QSUT-së dhe sipas tij ja se cili ishte konkluzioni i një kronike të paparalajmëruar.

“Javën e parë në shërbimin e kardiokirugjisë ka ndodhur një fenomen jo i këndshëm. Një familjar i një pacienti që vdiq 24 orë pas ndërhyrjes ka goditur mjekur kurues zotin Edvin Prifti”, thotë Bozhaj.

Vladimir Rama u largua përgjithmonë nga njerëzit e tij të dashur, pas një operacioni kardiokirurgjikal, por jeta e një personi nuk mund të kalojë me pak fjalë, cilat ishin ngjarjet që çuan në humbjen e tij të parakohshme, ende i traumatizuar, Robert Rama, djali i tij pranon të rrëfejë për ne atë që ka ndodhur duke filluar nga shëndeti i të atit.

“Ishte aktiv, në punë akoma. Ishte trupi im i madh, i shëndetshëm. Po të vazhdonte me ilaçe do e shtynte edhe 20 vjet”, tregon Rama.

Si pasojë e tronditjes së thellë Roberti nuk mundi të ishte tek varrimi i të atit, mbi të gjitha duket se një brengë do ta shoqërojë gjatë.

“Faktikisht babi e pati me frikë këtë punën e operacionit. Por unë i mbusha mendjen që ta bënte para Vitit të Ri që të ishte më i qetë”, thotë Rama.

Vladimir Rama e takoi vetë mjekun Edvin Prifti.

“Ka tre variante me tha për operacione, dy tek privati dhe një tek shtetërori. Operacionin e ke 99% të sigurtë me tha”, tregon Rama.

Familjarët ishin të sigurtë tek ky bypass i thjeshtë. Operacioni zgjati sa ishte parashikuar, plot 6 orë të ankthshme.

“Rreth orës 4:30 dolën mjekët dhe më thanë që operacioni doli me sukses”, shprehet ai.

Dhe sigurisht që nuk mungoi as pjesa financiare pas një lajmi të tillë të mirë.

“Erdhi doktori i parë dhe mami i jep zarfin e parë doktorit të parë, ndërsa doktori i dytë zbriti poshtë dhe i thotë mamit që është turni rojës atë mbrëmje. Lekët ua dhashe dhe kisha qejf që kur të dilte babai nga reanimacioni, t’i jepja serish  lekë”, thotë Rama.

Pasi kishte kaluar nata duke pritur daljen e narkozës tashmë familjarët i ishin harruar paratë që i kishin dhënë mjekut dhe prisnin lajme akoma më të mira, lajme që për ironi të fatit erdhën.

“Del një infermiere që ishte miqësuar mami me të dhe i thotë mamit që ke të fala nga Ladi, për babin. Ka qenë ora 9:30, 10”, thotë Rama.

Askush nuk e mendonte që ngjarjet që do të pasonin do ta shtynin djalin e vetëm të Vladimirit të bënte atë që bëri.

“Personeli mjekësor atë ditë ka qenë tërësisht i terrorizuar nga veprimet e familjarit të pacientit, sepse kanë qenë të pranishëm të gjithë infermierë e mjekë aty, në sallën e operacionit kur mjeku Edvin Prifti është goditur”, deklaron Bozhaj.

Por Roberti nuk ishte i pari. “Akte të tilla kanë ndodhur edhe herë tjetër këtu dhe kjo tregon që i gjithë personeli mjekësor në QSUT punon në një presion të vazhdueshëm, atij të familjarëve”, thekson Bozhaj. E mesa duket Roberti nuk do të jetë as i fundit.

“Mendoj se është problem mentaliteti për sa kohë në Shqipëri ka një mentalitet të tillë që mjekun e shikojnë si kriminel dhe jo shërues. Prifti nuk ishte rasti i parë që ndodhi”, shprehet Bozhaj.

Ndërkohë familjarët e Vladimirit kishin marrë të falat dhe 5 minuta me pas prisnin ta takonin.“Doktori pesë minuta më pas hapi derën dhe duke i thënë mamasë se Ladi na la. Në bëme çmos, por ai na la. Mamaja ime u çudit shumë dhe nuk arrinte ta besonte pasi para pesë minutash i çuan të fala”, deklaron Rama.

Çdo gjë bëhet absurde dhe tragjike për familjen Rama.“Më mori mami në telefon dhe ishte shumë keq. Doktori pa gjë të keqe më thotë që vjen shumë keq, por babai vdiq. Dhe më pas iku me shpejtësi”,  shprehet Rama.

Askush nuk mund të mendojë të paimagjinueshmen. “Mjekët zakonisht kur ndodh një ngjarje e tillë presin dhe japin shpjegime. Por ky nuk priti”, shprehet Rama.

Askush nuk e paragjykon Dr. Priftin, por Vladimiri u pa për herë të fundit mëngjesin e së martës dhe Roberti nuk pretendon ta ritakojë të atin, por pretendon dhe i takon një përgjigje më e qartë se ajo në çertifikatën e vdekjes.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel