Tiranë, pranga bashkëshortëve mashtrues

08/12/2010 18:45

Një 39-vjecare me profesion gazetare dhe koordinatore për mediat pranë një shoqate është arrestuar sipas policisë së bashku me të shoqin për mashtrim dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Sipas zëdhënëses së policisë, Majlinda Pashollari dhe bashkëshorti i saj Agim Pashollari, inxhinier, dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar lidhjet shoqërore, i kanë marrë një shtetaseje nga Elbasani shumën prej 300 mijë lekësh, me qëllim për të ndikuar tek funksionarë të drejtësisë për të ulur masën e dënimit të të vëllait të saj, Ilir Poci, i dënuar me 25 vjet burg.

Sipas zëdhënëses, gjatë hetimeve me metodat speciale, këta dy shtetas rezulton t’i kenë marrë 45 mijë euro edhe një personi nga Buqliza, duke i premtuar atij se do ndikonin tek zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë për të përfituar një leje minerare.

Top Channel