Brusa: Të zbatohen rekomandimet e Brukselit

08/12/2010 08:30

Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Luigi Brusa, i ka kujtuar qeverisë shqiptare, por edhe opozitës, që duhet të nisin menjëherë nga puna për zbatimin e kërkesave që opinioni i BE-së jep për Shqipërinë.

Në një takim që ka mbajtur dje me studentët shqiptarë, diplomati italian që drejton zyrën e BE-së në Shqipëri deklaroi se “Jo shumë kohë larg, Komisioni Europian publikoi opinionin e tij për Shqipërinë dhe ka një listë me rekomandime në të për politikën tuaj. Besoj se ato duhet të jenë udhërrëfyesi. Partitë politike patjetër që duhet të drejtohen nga ky opinion dhe 12 rekomandimet e tij. Kjo është rruga e drejtë. Dhe ne besojmë se ata do e gjejnë mënyrën të bashkëpunojnë për të gjetur porositë”.

Deklarata e Brusës vjen në një kohë kur pritet përgjigjja zyrtare e mazhorancës mbi ofertën e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve. Komentet ai i bëri gjatë ceremonisë së dhurimit të një kolazhi librash mbi BE-në për Qendrën e Informimit të BE-së në Tiranë nga ambasada e Spanjës.

Më 9 nëntor, Komisioni Europian ka publikuar opinionin për Shqipërinë, i cili si thelb kishte një fjali: Nuk e merr statusin e vendit kandidat”. Komisioneri i Komisionit Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi se KE-ja miratoi, ndër të tjera, opinionet për Shqipërinë dhe Malin e Zi.

“Nxisim Shqipërinë që të bëjë më shumë përpjekje për progres. Ne kemi përcaktuar disa prioritete kyçe, që për rastin e Shqipërisë janë 12. Në këtë mënyrë u kemi dhënë një rrugë të qartë sesi të ecin përpara për çeljen e bisedimeve. Gjithë spektri politik duhet të zgjidhë ngërçin dhe t’u adresohen atyre prioritete kyçe”, thuhet në raportin e BE-së.

Shqipëria, për shkak të ngërçit politik, nuk ka mundur dot të marrë statusin e vendit kandidat. Zgjedhjet e 8 majit do të jenë test për Shqipërinë dhe në vjeshtë do të bëhet një tjetër perceptim. Mali i Zi mori statusin e vendit kandidat, ndërsa Shqipëria jo. Komisioneri Fule deklaroi se për Shqipërinë është arritur në përfundimin që negociatat do të hapen sapo vendi të arrijë një nivel të kritereve të Kopenhagës, që kërkojnë stabilitet në institucione, garantimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. “I bëjmë thirrje Shqipërisë që të vazhdojë me reformat e mëtejshme”, tha Fule.

Komisioneri deklaroi se kësaj here, opinioni ishte më specifik dhe kërkoi që politikanët shqiptarë, të të gjitha kaheve, të tregojnë përgjegjësi të njëjtë. “Politikanët shqiptarë duhet të zgjidhin krizën, nëse arrijnë të dalin nga kriza dhe të përmbushin kriteret, mund të presin një rekomandim pozitiv nga komisioni”, tha Fule.

Shqipëria duhet të presë akoma për t’u renditur përkrah vendeve të Bashkimit Europian. Është specifikuar vetëm që vendi ynë do të jetë në gjendje të çelë bisedimet për negociata sapo të përmbushë detyrimet e nevojshme. Kritika ka pasur edhe për mënyrën e funksionimit të Parlamentit.

Ngërçi politik i ka lënë reformat në hije dhe është një shprehje që përsëritet tashmë për Shqipërinë se administrata është e politizuar. Gjithashtu, e pazgjidhur mbetet edhe situata për gjyqësorin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA