8 dhjetor, kur nisi rënia e rregjimit

08/12/2010 20:15

Plot njëzet vjet më parë, më 8 dhjetor 1990, studentët e fakulteteve të ndryshme të Tiranës që protestonin për mungesën e kushteve në Qytetin Studenti, u derdhën në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Marshimi i tyre u ndal nga forcat e policisë dhe të sigurimit të shtetit, por protesta shënoi fillimin e rënies së rregjimit komunist.

Studentët u takuan me Ramiz Alinë, por kjo nuk ndryshoi gjë. Nën thirrjet “liri-demokraci”, ajo që ndryshoi ishte historia.

Katër ditë më pas, më 12 dhjetor 1990, u themelua partia e parë opozitare, Partia Demokratike. Që prej riardhjes në pushtet të kësaj partie në vitin 2005, 8 dhjetori përkujtohet zyrtarisht si dita e rinisë.

Partisë Demokratike i pëlqen ta shohë veten si trashëgimtare direkte të aspiratave të studentëve të dhjetorit.

E vërteta është se aspiratat e studentëve për demokraci dhe për një Shqipëri europiane gjenden sot në programet politike të tëra partive politike në Shqipëri. Se sa janë realizuar këto aspirata, kjo është cështje e debatit politik.

Prec Zogaj është për shembull një nga figurat e asaj kohe, që në karrierën e tij të gjatë politike ka pasur periudha afrimi dhe largimi me Partinë Demokratike.

I lënë jashtë listave të kësaj partie në zgjedhjet e fundit, ai është figurë e opozitës, në emër të së cilës u shpreh se kujton me respekt dhe nderim të madh studentët e dhjetorit.

“Ne përkulemi me mirënjohje të madhe para guximit, mençurisë dhe vendosmërisë së tyre për t’u përballur me diktaturën e fundit të asaj kohe në Europë. Ne përkulemi para kujtimit të pavdekshëm të liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari. Duke evokuar sot këtë ditë të shënuar, opozita e bashkuar dëshiron të nënvizojë se e konsideron lëvizjen e dhjetorit një vlerë kombëtare. Opozita e bashkuar gjen rastin të zotohet dhe të premtojë sot një demokraci funksionale, që mbështetet në zgjedhjet e lira e të ndershme si themel i demokracisë”, është shprehur Zogaj.

Dita e Rinisë është festë zyrtare dhe ditë pushimi për administratën. Por festimet për 8 dhjetorin janë shtyrë për shkak të përmbytjeve. Kësaj here ato do të mbahen nën sloganin e “Një Shqipërie pa viza”.

Top Channel