Llalla: 250 zyrtarë të kallëzuar në prokurori

06/12/2010 18:55

Janë 250 zyrtarët që janë kallëzuar në prokurori për ndjekje penale pasi janë verifikuar parregullësi në deklarimin e pasurive të tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeinspektori i ILDKP-së, Adriatik Llalla në një intervistë për VOA, ku ka theksuar se edhe krerët më të lartë të shtetit janë nën kontroll.

“Vetëm këtë vit kemi konstatuar 250 zyrtarë të niveleve të ndryshme që janë kallëzuar për ndjekje penale. Janë në kontroll e sipër shumë funksionarë të shtetit, përfshirë presidentin, kryeministrin, ministrat dhe zyrtarë të niveleve të tjera”, ka deklaruar Llalla.

Kryeinspektori ka nënvizuar se institucioni i drejtuar prej tij i ka propozuar Kuvendit kompetenca shtesë, në vecanti për kontrollin e zyrtarëve që fshehin pasuritë e tyre në emër të personave të tjerë.

“Zyrtarë të ndryshëm i fshehin pasuritë në emër të të tjerëve. Ligji parashikon të drejtën për të kontrolluar, por jo për të vendosur sanksione nëse personi në fjalë i përgjigjet kërkesës së institucionit tonë. Kemi bërë propozimet tona për përmirësimin e ligjeve, të cilat kanë mbërritur në Kuvend, por nuk kanë kaluar akoma”, ka pohuar Llalla.

Kryeinspektori ka shtuar më tej se kontrollet e ILDKP-së shtrihen edhe jashtë Shqipërisë, në bashkëpunim me institucionet analoge.

Top Channel