Irani: Gati për programin bërthamor

05/12/2010 17:30

Irani ka zhvilluar teknologjinë dhe aftësinë për të krijuar pa ndihmën e askujt, gjithçka i nevojitet për programin e tij bërthamor.

Lajmi njoftohet nga kreu i Organizatës së Energjisë Atomike Iraniane, Ali Akbar Salehi i cili në një intervistë dhënë për televizionin shtetëror të Republikës Islamike, shprehet se vendi ka zhvilluar aftësinë për prodhimin e karburantit nuklear.

Njoftimi i Teheranit mbërrin disa orë nga mbajtja e bisedimeve për programin e tij bërthamor me vendet e 5+1 dhe anëtaret e përhershëm të Këshillit të Sigurimit në Gjenevë të Zvicrës.

Analistët ndërkombëtarë shprehen se me anë të këtij njoftimi, Irani kërkon të tregojë se nuk ulet në tryezën e bisedimeve në pozitën e më të dobëtit, dhe se sanksionet e shumëfishta ndërkombëtare nuk do të ndikojnë në programin e tij bërthamor.

Po gjatë ditës së sotme, presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad këmbënguli se vendi i tij është i gatshëm të negociojë për gjithçka, por jo mbi të drejtën e tij për të pasuruar uranium.

Disa ditë më parë edhe Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton u shpreh se Irani mund të pasurojë uraniumin, por me kusht që të vërtetojë se pasurimi i tij kryehet tërësisht për qëllime paqësore.

Top Channel