Përmbytja kërcënon Lezhën

02/12/2010 19:55

Kërcënimi nga rritja e nivelit të ujit tek argjinatura e Torovicës, e quajtur ndryshe bendi, ka alarmuar banorët të cilët e gdhijnë natën duke monitoruar situatën.

Banoret shprehen tejet të shqetësuar pasi uji ka ardhur në një kuotë kërcënuese për një kohë shumë më të shkurtër se në janar të këtij viti.

“Ne kemi nevoje të kemi mjetet e duhura. Gjendja nuk është e kollajtë pasi mbytet e tërë zona”, deklaron një prej banorëve.

“Ndihemi të kërcënuar sepse kemi jetuar natë e ditë duke e vëzhguar ujin dhe rritja ka ardhur me 10 centimetër”, tregon një tjetër.

Edhe autoritetet vendore e shohin situatën si problematike. Prefekti i qarkut dhe përfaqësues të drejtorive të ndryshme  kanë vizituar zonën.

“Ka një përkeqësim. Niveli është 45 cm mbi atë të argjinaturës. Nga matjet që kemi kryer mendojmë se duhet të ndërhyjmë urgjentisht, shprehet prefekti Pal Dajci.

Bendi i Torovicës, që është pika kryesore ndalëse dhe kufizuese me zonën e Shkodrës, mbron pjesën e Lezhës nga vërshimi i ujërave. Si i tillë vlerësimi për ta mbajtur këtë argjinaturë të pakalueshme duke rritur lartësinë.

E njëjta situatë në këtë bend u paraqit edhe në janar, ndërkohë që banorët ruanin me turne këtë bend, rol të cilin ata do ta bëjnë edhe në këtë situatë, të shoqëruar edhe nga strukturat e policisë.

Top Channel