Barnat, PS sërish akuza Vasilit

01/12/2010 18:10

Partia Socialiste denoncoi hartimin e listës së barnave spitalore, që sipas selisë rozë është hartuar nga firma famaceutike e Rrasim Hamzarait, djali i dajës i ministrit Petrit Vasili.

Kjo listë barnash, sipas deputetit Eltar Deda, është kundërshtuar nga specialistët e QSUT-së.

“Pra, Petrit Vasili kërkonte të vendoste listën e barnave mjekësore të hartuar nga djali i dajës së tij. Dhe meqenëse kjo listë ishte e papranueshme nga përgjegjësja e farmacisë së QSUT, këta zotërinj e shkarkojnë nga detyra, pikërisht për këtë arsye”, ka deklaruar Deda.

Sipas tij, zyrtarja e shkarkuar është zëvendësuar me një individ të dyshimtë për lidhje mafioze.

“A e dini me kë u zëvendësua? Me Fatos Muhon, ortakun e Rrasim Hamzarajt në kompaninë e lojërave të fatit “Star Bet”, ku sic e dinë të gjithë, ortak ishte edhe bosi i Sacra Corona Unita, miku i ministres Bregu, Albino Prudentino. Ja pra, shëndeti i shumicës së shqiptarëve luhet në lojërat e fatit të administruara nga Petriti i Ilirit”, ka shtuar Deda.

Top Channel