Misteret e kryeqytetit të luftës

29/11/2010 20:10

Kryeqyteti i luftës, kështu është konsideruar për një periudhë të gjatë, gjatë regjimit komunist qyteti i Çorovodës. I rrethuar nga tunele të shumtë, godina të fshehta, ndërtesa të nëndheshme, zyra sekrete dhe dhjetra e dhjetra investime të tjera marramendëse për kohën të cilat do të përdoreshin në rast se Shqipëria do të sulmohej nga ushtritë e huaja. Kanë kaluar 20 vjet nga rënia e komunizmit e megjithatë pak ose aspak dihet nga kjo fytyrë tjetër e fshehur nën themelet e këtij qyteti dhe gjithë zonës përreth.

Por cila është historia e harruar përmes së cilës mund të ngrihet ndoshta rrjeti muzeal më i vërtetë e kuptimplot, i epokës së diktaturës komuniste, kohës kur jeta, vdekja, fjala e lirë e burgu kishin thuajse të njëjtën vlerë.

Pas prishjes se marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 Enver Hoxha vendosi fortifikimin e vendit. Për shkak të pozicionit gjeografik dhe relievit malor, Skrapari u vendos të kthehej në kryeqytetin e vendit në kohë lufte. Në më pak se një vit e gjithë zona u rrethua nga një zinxhir fortifikimesh dhe objektesh strategjike, mes të cilave njeri kishte rëndësinë më të madhe. Ai u vendos rreth 20 km nga qyteti i Çorovodës mes vargmalit Tomorr, Rramije, Zaloshnje.

Këto janë tunelet-bunkerë të ngritura rreth viteve 60–70 nga udhëheqja e lartë komuniste, të cilat do të përdoreshin në rast të një lufte të mundshme, në rast të një sulmi të mundshëm ndaj Shqipërisë, këtu do të pozicionoheshin, pra këtu do të qendronin gjithë udhëheqësit më të lartë të Partisë Komuniste të kohës, edhe vetë Enver Hoxha në një nga këto apartamente, të cilat kishin komoditetet maksimale për kohën, pavarësisht se sot janë në këtë gjendje duke mos treguar në fakt atë imazh që kanë patur në atë kohë.

I gjithë tuneli nëntokë ku ishin vendosur apartamentet e udhëheqësve është rreth 1000 metra katrorë. Muret anësore janë të përbërë nga një shtresë e dyfishtë betoni dhe një tjetër prej hekuri duke bërë të mundur që këto vendstrehime ku do të qendronte udhëheqja e lartë komuniste të përballonin goditjet atomike dhe ato kimike.

Vilat e nëndheshme, të tilla konsideroheshin, ku do të qëndronin Enver Hoxha, Hysni Kapo, Petrit Dume e Beqir Balluku kanë një hapësirë të bollshme, me një sistem 3 plus 1, por veç tyre ka edhe dhoma të tjera të ndara.

Në dokumenta të ndryshme të kohës flitet se gjatë ngritjes së tyre kanë humbur jetën më shumë se 100 ushtarë e po aq të tjerë janë plagosur. Por gjithçka ka kaluar në sekret të plotë nga organet komuniste. Ende edhe sot e vërteta mbi numrin e viktimave nuk është zbardhur.

Vetëm në këtë zonë të grabitur e rigrabitur shumë herë pas rënies së komunizmit gjenden më shumë se 8 hyrje tunelesh, të cilët ishin të ndarë, tek disa do të qendronte udhëheqja, tek të tjerët ushtarë e oficerë që kishin për detyrë mbikëqyrjen e tyre.

Një hallkë kyç e zinxhirit ishte edhe pushteti ekonomik, i cili duhej medoemos të ndodhej në këtë zonë sigurie. Pikërisht në hyrje të qytetit të Çorovodës ndodhen tunelet e nëndheshme ku ishte i vendosur thesari i shtetit. Elementet e sigurisë janë thuajse të njëjtë, përveç faktit se dhoma kryesore ku qendronte i mbyllur floriri ishte e vendosur në një nënkat Brenda tunelit, që sot është i pamundur të kalohet per shkak të nivelit të lartë të ujit që ndodhet në të. Ai funksiononte me një sistem të sofistikuar alarmi dhe dyert disa tonëshe mund të hapeshin vetëm me kode të veçanta.

Tuneli i gjatë me qindra metra nëntokë ka disa degëzime të cilat lidhen në zona të ndryshme mes tyre, duke e kthyer në një labirinth të komplikuar për njerëzit që nuk e kanë shkelur më parë, por jo për mbledhësit e hekurishteve që përpiqen të shkulin ç’të mundin.

Disa qindra metra me tej nga tunelet e thesarit i cili është larguar prej këtej në vitin 93, ndodhet godina e cila do të shërbente si arkiva qendrore e shtetit dhe e komitetit qendror të Partisë së Punës. Ajo ruhej nga Garda e Republikës dhe kishte një kapacitet të madh arkivimi nën parametra të lartë teknikë dhe sigurie. Në këtë godinë sot të privatizuar një pjesë e dokumentave sekrete erdhën që në atë kohë e disa të tjera kanë mbetur hedhur ndër cepa.

Në Skrapar u ngritën në atë periudhë edhe tunelet në Devri, të cilat lidhnin këtë zonë me Tomorricën. Sot pjesë e një reparti ushtarak, gjatë luftës ato do të shërbenin si seli punë për shtabin e përgjithshëm, por edhe për batalionin e sigurimit të ushtrisë popullore. Ndërkohë tunelet e tjerë ato të Pirogoshit që shtrihen në një sipërfaqe prej rreth 20 hektarësh do të ishin furnizuesit e ushtrisë me armatim. Sipas përllogaritjeve me sasinë e municioneve që ndodheshin brenda tyre Shqipëria mund të luftonte për 6 muaj rresht pa pushim ditë e natë. Kjo ka bërë që sot të krijohet një mesatare e frikshme ku për çdo banor të Skraparit ka një ton municion.

Në kryeqytetin e luftës nuk mungonte as shtypshkronja ku llogaritej që gjatë sulmit ushtarak të shtypej gazeta “Zëri i popullit”, e cila do të shpërndahej më pas në të gjithë vendin. Rezervat e shtetit në sasi shumë të mëdha rreth 20 mijë tonë grurë u ngritën jo larg tuneleve ushtarake në Kakrukë dhe Cerenisht. Ndërsa për furnizimin e këtij rrjeti gjigand me energji u ndërtua edhe hidocentrali i Bogovës. Ndërkohë që ishte projektuar edhe ndërtimi i një aeroporti të vogël.

Kujtesa si institucion është vlera më e madhe e një populli, është boshti mbi të cilin mbështetet e ardhmja e tij. Provë për këtë janë rumunët me muzeumet e Çausheskut, gjermanet me zyrat e stasit dhe muzeun e nazizmit në Laipzig, kilianët me muzeun 5600 metra katrorë në përkujtim të viktimave të Pinoçetit, të argjentinasve që kanë kthyer në muze njerin nga burgjet më të tmerrshëm, të hungarezve që kanë mbledhur nën të njëjtën çati bustet e monumentet e epokës diktatoriale, të italianëve, francezve e spanjollve. Por Shqipëria ndryshe nga e gjithë bota ka zgjedhur teorinë e shkatërrimit nga tunelet, tek burgjet komuniste, tek piramida, kudo kemi zgjedhur të shuajmë historinë e mbi të gjitha memorjen e tmerreve të diktaturës 45 vjeçare, pa marrë parasysh se një e keqe e harruar rrezikon të përsëritet në të ardhmen. Por ndoshta ky është qëllimi i fshehur i politikës së sotme.

Top Channel