Padi Urdhërit të Farmacistëve

26/11/2010 20:10

Qendra e Kontrollit të Barnave ka bërë kallëzim penal ndaj presidentit të Urdhrit të Farmacistëve zotit Arjan Jaupllari për një sërë shkeljes të kryera nga ky i fundit kundër farmacistëve dhe drejtuesve teknikë të tyre.

Sipas zotit Besnik Jakaj, Jaupllari ka marrë kompetenca që nuk i takojnë Urdhërit të Farmacistëve.

“Zoti Jaupllari duke tejkaluar kompetencat e ligjit që i jep urdhëri i farmacistëve ka nxjerrë në janar të 2010-s një urdhër të këshillit kombëtar të Urdhërit të Farmacistëve ku thotë që me çdo rast që të pajisim me çertifikat anëtarësimi tek Urdhëri i Farmacistëve do verifikojmë në terren distancën, sipërfaqen duke marrë kompetencat që ligji ua jep disa institucioneve të tjera”, është shprehur Besnik Jakaj, drejtor i Qendrës së Kontrollit të Barnave.

Sipas zotit Jakaj, denoncimi i parë ka ardhur nga vetë farmacistët të cilët nuk kanë mundur të përballojnë presionet e vazhdueshme.

“Të marrësh çertifikatën që je anëtar i Urdhërit të Farmacistëve, një farmacist paguan 10 mijë lekë të vjetra në muaj, pra 120 mijë lekë në vit. Është një shifër shumë e madhe, është një numër shumë i madh farmacistësh që paguajnë këtë shifër dhe mbi këto lekë nuk është bërë asnjëherë transparencë”, theksoi Jakaj.

Përveç kallëzimit penal Jakaj thotë se i gjithë informacioni i është dërguar Ministrisë së Shëndetësisë ku kërkohet të merren masa përkatëse, por nga ana tjetër të bëhen dhe ndryshime në ligjin për Urdhërin e Farmacistit.

Top Channel