Juristët, debate për Kushtetutën

25/11/2010 19:50

Konstitucionalisti Njazi Jaho flet sërish për cështjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, që sipas tij, politika nuk ka dashur të dëgjojë argumentimin e juristëve të duhur për këtë cështje, duke e kthyer debatin nga një ushtrim i lehtë në një krizë të vështirë.

“Nëse politika do ishte e predispozuar që për këtë cështje të merrte argumentet e specialistëve, me integritet do të mjaftonte jo një vit e gjysmë, por një orë e gjysmë për ta zgjidhur cështjen”, ka deklaruar Jaho.

Në konferencën mes juristëve më të mirë në vend, me temë “Kushtetuta, arritje dhe sfida për të ardhmen”, u diskutua nëse duhet ndryshuar apo jo Kushtetuta.

“Unë mendoj se themeli nuk duhet prekur, por ca gjëra duhen parë. Tani, referendumi është i vështirë për shkak të situatës politike”, ka deklaruar Kristaq Traja, ish-gjyqtar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Ndërsa juristi Sabri Godo është shprehur: “Ka disa gjëra që duhen rishikuar. Pasi problemi central është prona private ligjore. Unë do vazhdoj të them se Kushtetuta i ka dhënë zgjidhjen më të mirë këtij problemi, por kjo është mënjanuar në mënyrë brutale nga qeveritë”.

Gjatë takimit u prekën edhe cështje akute për thirrjen e raportimit në komisione hetimore të prokurorit të përgjithshëm, që sipas ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu kanë shënuar vartësinë e prokurorisë nën cdo mazhorancë.

“Pas ndryshimeve të bëra duket qartë se problemi është ndërlikuar pasi të raportosh do të thotë të raportosh para një përgjegjësi për plotësimin e disa detyrave. Ndryshimi i fundit i ka vënë kapakun tendencës së qëllimit të mazhorancës”, ka pohuar Abdiu.

Ndërkohë që ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi replikoi me idenë e hedhur nga Kreshnik Spahiu për vendosjen nën vartësi të Gjykatës së Lartë në KLD.

“Si mund të qëndrojnë pa mandat jashtë mandatit të tyre 5 anëtarë të KLD-së dhe më pas të transferohen e të bëjnë cfarë të duan”, është shprehur ai.

Top Channel