Kutitë, rilëvizin KQZ-në drejt asgjësimit të fletëve

22/11/2010 09:40

Tërheqja socialiste për fletët e votimit ka krijuar perspektivë të re për kostot e procesit të ardhshëm zgjedhor. Kutitë e mbajtura deri më tani, të depozituara në pritje të një zgjidhjeje politike, mund të rivihen në përdorim, pas asgjësimit të fletëve të votimit, duke kursyer një shifër prej rreth 60 milionë lekësh.

Gjithsesi kjo gjë do të bëhet e njohur përmes një vendimi të posaçëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka kohë që deri në fund të vitit, të hartojë edhe buxhetin e ri.

Te ky dokument do të shihet nëse kutitë e vjetra do të rivihen në qarkullim, apo nëse fletët e votimit do të mbahen edhe më tej, pavarësisht deklaratave të Partisë Socialiste. Ndërkohë, KQZ, përveç çështjes së kutive, ka në axhendë edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Vetëm rreth një muaj më parë, ky institucion miratoi një Plan Veprimi për procesin elektoral të 8 majit, i cili rregullon në mënyrë të detajuar hapat që do të ndërmerren deri në hyrjen në fazën zgjedhore. Kjo parashikon koordinimin për shpalljen e listave të zgjedhësve, ngritjen e komisioneve, trajnimin e tyre, rekrutimin e personelit shtesë, si dhe verifikimin e ambienteve që do të vihen në diskonim të zgjedhjeve.

Top Channel