Korçë, shkulen pemët

21/11/2010 20:30

Bordurat e trotuareve të sapondërtuara në qendër të Korçës janë shkatërruar gjatë orëve të natës.

Po kështu 15 pemë janë shkulur nga persona ende të paidentifikuar. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, ka bërë kallëzim në Prokurori, ndërkohë që ka përjashtuar mundësinë që ky akt të jetë kryer nga Inspektoriati Ndërtimor.

Ai ka akuzuar qarqe politike për prishjen e rrugës duke thënë se shkatërrimi është bërë qëllimisht për të penguar rikonstruksionin e bulevardit, ndërkohë që nuk dihet se ku kanë përfunduar gurët dhe pemët që janë shkulur nga qendra e qytetit.
 
“Nuk dimë se kush e ka bërë këtë. Njerëz që pa asnjë lloj vendimi ligjor kanë shkatërruar bordurat e ndërtuara dhe kanë shkulur pemë. Dua t’iu garantoj se ky aksion do të dështojë sepse Korça është një qytet që të jep ndëshkimin demokratik në momentin e duhur”, u shpreh Niko Peleshi, kryetari i Bashkisë së Korçës.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Korçës, punimet do të vazhdojnë nga e para për ndërtimin e trotuareve ndonëse tashmë ishte faza e asfaltimit. Peleshi ka thënë se ky veprim i dënueshëm është kryer nga grupe dhe individë të caktuar.
 
“Bordurat do të vendosen atje ku është miratuar leja. Kjo dhunë qeveritare-politike nuk bazohet tek ligji dhe rregulli, por vetëm tek urdhrat politikë”, vazhdoi Peleshi.

Ndërtimet që po kryhen në qendër të qytetit kanë shkaktuar debate mes bashkisë dhe prefekturës, pasi  projekti i kanalizimeve konsiderohet nga ana e prefekturës si zbatim i një tjetër projekti që nuk ka marrë ende miratimin.

Por sipas kryetarit të Bashkisë për ndërtimet që po kryhen ka një leje të ligjshme ndërtimi.

Top Channel