Durrës, kujtohen 43 te rinjtë që vdiqën në kampe

20/11/2010 16:05

Të rinjte që u internuan në Mathauzen dhe kampet e tjera të përqëndrimit nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore janë përkujtuar nga drejtues të pushtetit vendor, veteranë e familjarë të tyre në Durrës.

Përmes homazheve dhe kurorave me lule në nderim të sakrificave të atyre që u persekutuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes masive gjatë pushtimit nazist të vendit, pranë memorialit të ngritur në Shkozet, u kujtua ai mëngjes i largët i 20 nëntorit të vitit 1943 kur qytetarët durrsakë përjetuan bastisjen e shtëpive nga nazistët dhe marrjen me forcë të bijve të tyre.

Të rinjtë durrsakë u sollën me dhunë në fushën e Shkozetit, aty ku sot ngrihet memoriali për nder të tyre, dhe nga këtu i hipën nëpër kamionët e ushtrisë gjermane duke i dërguar fillimisht në burgun e Tiranës e po atë ditë në kampet e internimit në Prishtinë, Mathauzen, Zemun, Dakau etj. Në pllakat memorative në varrezat e dëshmorëve të qytetit janë 43 emra të rinjsh që u vranë në kampet e Zemunit dhe Mathauzenit, të rinj që me vdekjen e tyre përcjellin ndër breza një mesazh të rëndësishëm, atë të luftës për liri duke sakrifikuar edhe jetën për atdheun.

Kryebashkiaku Vangjush Dako dhe të tjerë të pranishëm në ceremoninë përkujtimore vlerësuan qëndresën heroike të tyre ndaj nazi-fashizmit, në mbrojtje të idealeve të larta patriotike në kampet e përqendrimit.

 

Top Channel