Rama, kokë më kokë me Fyle

19/11/2010 19:40

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama u prit në Bruksel nga Komisioneri Europian për Zgjerimin, Shtefan Fyle.

Sipas liderit të opozitës, qëllimi i vizitës ishte zgjidhja e ngërçit politik për të mundësuar njëherazi transparencën e zgjedhjeve të fundit dhe nisjen e reformës zgjedhore.

Diskutimi u përqendrua veçanërisht në ofertën e fundit të PS-së.

Në fillim të javës, kjo iniciativë u përshëndet edhe nga zyra e komisionerit Fyle si një mundësi e mirë për zgjidhjen e ngërçit politik duke ftuar qeverinë që ta pranonte këtë kompromis.

Gjatë bashkëbisedimit kryetari i opozitës preku edhe çështje të rëndësishme të ngritura në opinionin e Komisionit Europian, veçanërisht për lirinë e medias dhe presionin kanosës të përditshëm, sipas përfaqësueseve të opozitës, që qeveria ushtron ndaj botuesve të shtypit kritik.

Edi Rama falenderoi gjithashtu komisionerin për mbështetjen që Komisioni Europian dhe vendet anëtare u dhanë shqiptarëve duke liberalizuar vizat.

Top Channel