SHBA-BE, politikë të njëjtë për Ballkanin

18/11/2010 19:55

Politika e Shteteve të Bashkuara është në koordinim të plotë me atë të Bashkimit Evropian përsa i takon rajonit të Ballkanit.

Deklarata është bërë nga zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Philip Gordon, i cili në Këshillin Atlantik ka folur për axhendën evropiane të administratës Obama.

Gordon e ka vënë theksin tek diplomacia e përbashkët dhe intensive e muajve të fundit, që tregon unifikimin e vizioneve të SHBA dhe BE për rajonin.

“Europa nuk mund të jetë e plotësuar pa u integruar Ballkani perëndimor. Politika jonë për rajonin është e koordinuar me atë të BE. Sa për Kosovën dhe dialogun me Serbinë, ne jemi konsultuar me Evropën”, ka deklaruar Gordon.

“Ne e mirëpritëm anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa Maqedonia do të hyjë pas zgjidhjes së cështjes së emrit”, është shprehur ai.

Zyrtari amerikan ka shtuar se ky vizion do të shndërrohet në prioritet kryesore dhe se presidenti Barack Obama është i vetëdijshëm se konsultimi me Evropën është jetik.

Top Channel