DASH: Në Shqipëri respektohet feja

17/11/2010 23:10

Në Shqipëri respektohet liria fetare, nuk janë shënuar abuzime, diskriminimi shoqëror mbi bazë identifikimi, besimi apo ushtrimi fetar.

Departamenti Amerikan i Shtetit përmes raportit “Liria Fetare për vitin 2010” ku flet për garantimin e ushtrimit të lirë të fesë në Shqipëri, nënvizoi gjithashtu se shumë pak përparim është shënuar për rikthimin e pronave fetare.

Qeveria, shkruhet në raport, vazhdoi të trajtonte pretendimet e secilit prej katër grupeve tradicionale fetare në Shqipëri, lidhur me komponsimet e pronave të marra gjatë epokës komuniste. Megjithatë shumë prej tyre mbeten të pazgjidhura.

Në raport përmenden marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2008 mes qeverisë dhe katër bashkësive tradicionale fetare dhe angazhimi i Agjensisë Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, por sërish, siç thuhet në raport, ecuria ka qenë e ngadaltë.

Kisha Ortodokse vazhdoi ndërtimin e një katedraleje të re në Tiranë, një prej më të mëdhave në Ballkan, mbi tokën që e mori si kompensim për pronën e marrë nga regjimi komunist, por citoi mungesë veprimi për pretendime të tjera në të gjithë vendin. Ajo kishte kërkesa në pritje, shkruhet në raport, për kisha të reja në Gjirokastër dhe Vlorë.

Si Kisha Ortodokse dhe Kisha Katolike përfshinë pretendimet e tyre për kompensim ikonash fetare dhe dorëshkrime të vyera marrë nga qeveria komuniste, të cilat mbeten në arkivat kombëtare.

Zyrtarë të ambasades amerikane, thuhet në raport, vazhduan të nxisin qeverinë të trajtojë pretendimet për pronat fetare dhe t’u kthejë ndërtesën, tokën dhe prona të tjera grupeve fetare që i kanë humbur gjatë regjimit komunist.

“Gjatë periudhës së raportimit nuk pati ndryshim në statusin e respektimit të lirisë fetare nga qeveria shqiptare. Nuk ka ligj që ndalon mbajtjen e veshjeve apo simboleve fetare. Por  drejtorët e shkollave kanë të drejtë të përcaktojnë standarte për veshje të përshtatshme çka përfshin me raste dhe kufizime ndaj ekspozimit publik të simboleve fetare”, thuhet ndër të tjera në raportin e DASH.

Raporti ka pak ndryshime nga ai i para një viti, ku janë përmendur thuajse të njëjtat çështje.

Top Channel