Tiranë, nisin festimet për Kurban Bajramin

16/11/2010 08:00

Në gjithë vendin, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Serbi, besimtarët myslimane shqiptarë po festojnë sot ditën e Kurban Bajramit, dita simbol e sacrificës ndaj besimit te Zoti.

Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të Zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun.

Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vllazërimit dhe paqes. Mijëra vjet më parë profeti Ibrahim ishte i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij në emër të besimit ndaj Zotit.

Me mesazhin e besimit ndaj Zotit dhe dashurisë ndaj njeriut, drejtuesit fetarë të komunitetit mysliman shqiptar kanë drejtuar faljen e namazit të kësaj dite.

Në Tiranë, me mijëra besimtarë janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kryer ritet e kësaj dite shumë të rëndësishme në kalendarin islam.

Riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi.

Kjo festë është kthyer tashmë në traditë në Shqipëri dhe për shkak të tolerancës së njohur fetare është edhe një festë zyrtare e cila përfshin edhe komunitetet e tjera fetare. Me rastin e kësaj dite, Top Channel uron gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.

Top Channel