Humbja e statusit, dëmi 400 mln euro

12/11/2010 15:25

Dështimi i Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat ka nga pas edhe dëmin jo të vogël financiar. Në 5 vite vendit do i mungojnë afërsisht 400 milionë euro nga skemat e ndihmës financiare të Bashkimit Europian.

IPA, programi me të cilin, BE kanalizon ndihmën për shtetet që janë në proces anëtaresimi është i ndarë në 5 skema financimi. Por vendet që ndodhen në stadin e Shqipërisë, pa statusin e kandidatit, përfitojnë vetëm nga dy prej tyre, respektivisht asistenca e tranzicionit dhe bashkëpunimi ndërkufitar.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Europian gjatë periudhës 2007-2012 Shqipëria do përfitojë nga fondet e BE-së përmes këtyre dy skemave 497.4 milionë euro. Por nëse do të kishte marrë statusin e vendit kandidat, llogaritet qe shuma do ishte gati dy herë më e lartë ose rreth 400 milion euro te tjera, pasi qeveria shqiptare do të kishte akses edhe në tre skemat e tjera, ajo e zhvillimit rajonal, atij rural dhe kapitalit human.

Por humbjet janë më të mëdha nuk vjen nga mugesa e ketyre fondeve por mungesa e efektit qe do te kishin dhene keto para nese do te perdoreshin ne ekonomi. Së pari fondet e BE-së nuk janë kredi por grante që jepen falas dhe që ndihmojnë në mbulimin e deficitit korrent dhe bilancit të pagesave, një nga problemet më të mprehta të ekonomisë.

Së dyti, këto fonde të munguara do i jepnin më shumë hapsirë qeverisë për të rritur shpenzimet e saj. Dhe në fund meqënese këto fonde, ndryshe nga ndihmat e tjera, shkojnë në sektorë kyc, si infrastruktura, burimet njerëzore dhe bujqësia ato stimulojnë rritjen ekonomike në afatgjatë. Për më tepër fqinjët tanë që përfitojnë nga këto fonde krijojnë avantazhe në treg ndaj Shqipërisë. Maqedonia vetëm për bujqësinë do të marrë nga BE-se 66.5 milionë euro grante, ndërsa Shqipëria asnje euro.

Kjo bën që fermerët maqedonas të kenë avatazhe në tregun rajonal ndaj atyre shqiptar, kur bujqësia në Shqipëri përfiton shuma qesharake nga buxheti. Dështimi i institucioneve po kushton jo pak. Pak kohë më parë Shqipëria humbi shansin e përfitimit nga fondet e qeverisë amerikane për Gjykatën Administrative. Tashmë refuzimi i statusit përvijon një tjetër dëm financiar. Dhe në të dyja rastet faturen e shakton politika por demin e paguan publiku.

Top Channel