Prezantohet strategjia e marketingut kulturor

11/11/2010 20:20

Me qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare është zhvilluar Konferenca kombëtare për marketingun kulturor, ku është prezantuar dokumenti i politikave të marketingut kulturor të Shqipërisë dhe plani i veprimit “Vizitoni Shqipërinë 2012”.

“Ky dokument propozon me bindje të plotë që Shkodra, Lezha, Kruja, Tirana, Durrësi, Apollonia, Korça, Berati, Gjirokastra dhe Saranda mund të konsiderohen si destinacionet primare të turizmit kulturor në Shqipëri. Plani i veprimit parashikon katër ndërhyrje konkrete për Marketimin e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore Shqiptare, më i rëndësishmi ndër të cilët është shpallja e vitit 2012, vit i cili shënon dhe 100 vjetorin e pavarësisë në vend, si “Viti Vizitoni Shqipërinë””, ka deklaruar ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj.

Ndërkohë, kryeministri Berisha falenderoi PNUD-in dhe qeverine e Mbretërisë Spanjolle për mbështetjen e programit “Trashëgimia Kulturore për Zhvillim Social dhe Ekonomik”, në kuadër të të cilit u zhvillua edhe konferenca. Ai foli edhe për zhvillimin e turizmit.

“Gjithnjë e më shumë turizmi po bëhet degë kryesore ekonomike dhe në rast se vështrojmë zhvillimet e këtyre pesë viteve të fundit, zhvillimin më marramendës, më i shpejti, më i madhi dhe më i fuqishmi është turizmi. Vendi numëronte në vitin 2004, 300 mijë vizitorë, ndërsa këtë vit shkon në 3 milionë e 500 mijë. Është një rritje pothuaj me 11 herë më shumë, rritje e jashtëzakonshme, natyrisht është edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Berisha.

Top Channel