KE: Nuk ka status për Shqipërinë

09/11/2010 23:20

Komisioni Europian nuk i rekomandon Këshillit të Bashkimit Europian dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë. (UPDATE)

“Për Shqipërinë opinioni konkludon, dhe me lejoni ta citoj: Negociatat për anëtarësim duhet të hapen sapo vendi të arrijë një shkallë të duhur të përmbushjes së kritereve të nevojshme për t’u bërë anëtare, e në veçanti kriterin politik të Kopenhagenit, çfarë kërkon qendrueshmërinë e institucioneve, duke garantuar posaçërisht demokracinë dhe zbatimin e ligjit. Nxisim Shqipërinë, e këtu sërish citoj: Të bëjë më shumë përpjekje për progres, e këtu perfundon citimi”, deklaroi komisoneri për zgjerimin, Stefan Fyle.
 
Kolegji i Komisionerëve vlerësoi se Mali i Zi meriton dhënien e statusit kandidat, por jo çeljen e negociatave për anëtarësim.

“Komisioni rekomandon që Këshilli t’i japë statusin kandidat Malit të Zi”, deklaroi zoti Fyle.
 
Ngërçi politik është arsyeja kryesore pse vendi ynë nuk fitoi të njëjtin status, por jo i vetmi.

I pyetur nga Top Channel, se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të fituar statusin kandidat, Komisioneri Fyle shpjegoi se Komisioni ka përcaktuar disa prioritete kyçe që vendi duhet të përmbushë deri vitin e ardhshëm.
 
“Ne kemi përcaktuar disa prioritete kyçe që në rastin e Malit të Zi janë 7 e për Shqipërinë 12, e bëmë gjithashtu të qartë se në paketën e zgjerimit, vitin e ardhshëm, ne do t’i rikthehemi çështjes së zbatimit të këtyre prioriteteve. Në këtë mënyrë vendeve u kemi dhënë një rrugë të qartë sesi të ecin përpara drejt çeljes së bisedimeve për anëtarësim, me një afat të qartë kohor. Përveç këtyre, në rastin e Shqipërisë, është situata politike, ndaj të gjithë spektrit politik pa bërë asnjë dallim mes atyre që janë në qeveri apo opozitë, pasi të gjithë ata ndajnë të njëjtën përgjegjësi. Ata duhet të zgjidhin ngerçin politik, që vijon në vend prej shumë muajsh. Pra, të mënjanohet ky ngerç politik, e t’u adresohen atyre prioriteteve kyçe dhe meqenëse çdo vend gjykohet mbi merita individuale, vitin e ardhshëm mund të shikoni atëherë dhe një rekomandim pozitiv”, u pregjigj komisioneri Fyle.
 
12 prioritetet kyçe për Shqipërinë sipas Komisionit lidhen me funksionimin e duhur të Kuvendit, miratimin e ligjeve të mbetura, me shumicë të cilësuar, garantimi i një proçesi të rregullt votimi për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, ndryshimin e Kodit Elektoral, garantimin e standarteve në zgjedhje, depolitizimin e administratës publike, reformimin e gjyqësorit, garantimi i të drejtës mbi pronën, zbatimi i strategjisë kundër korrupsionit, gjurmë konkrete për luftën ndaj krimit të organizuar, politikat kundër diskriminimit, kryesisht ndaj grave e minoritetit rom dhe përmirësimi i kushteve për të dënuarit e të burgosurit.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel