Kriza politike, PE në Tiranë

04/11/2010 19:55

Delegacioni i Parlamentit Europian për Europën juglindore ka patur vetëm një mesazh gjatë takimeve me drejtuesit kryesorë politikë të vendit dhe homologët shqiptarë parlamentarë, zgjidhni situatën politike, që të mos dëmtoni të ardhmen europiane të vendit.

Ky mesazh u dha pa doreza, si nga përfaqësuesit e Komisionit Europian, ashtu edhe nga kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, të cilët kërkojnë zgjidhjen e ngërcit pa vonesë dhe bashkëpunimin për reformën elektorale për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

“Komisioni mbetet thellësisht i shqetësuar për ngërcin politik, i cili ende nuk është kapërcyer pas 15 muajsh. Parlamenti nuk funksionon në mënyrën e duhur dhe ka disa ligje që po rrinë të varura për shkak të shumicës së cilësuar që duhet për miratimin e tyre. Komisioni ka thënë disa herë se, si qeveria edhe opozita ndajnë përgjegjësinë për të gjetur një zgjidhje. Komisioneri Fule ka nënvizuar se kjo situatë do të ketë një ndikim negativ në progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Përsa i përket opinionit të Komisionit, ai do të reflektojë situatën aktuale dhe pasojat e saj në funksionimin e institucioneve në opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, i cili do të publikohet më 9 nëntor”, ka deklaruar Kukan.

“Përsa i përket Kodit Elektoral, ne e dimë të gjithë se ODIHR ka bërë 31 rekomandime të cilat duhen zbatuar dhe kjo duhet të ndodhë përpara zgjedhjeve lokale. Nëse nuk ndodh kështu, unë mendoj se kjo do të dëmtojë imazhin politik të vendit në të ardhmen. Partitë politike në Shqipëri duhet të arrijnë një marrëveshje sesi të dilet nga kjo situatë dhe të bëjnë më shumë hapa drejt integrimit europian. Unë mendoj se kjo është cështja më e rëndësishme, me të cilën përballet Shqipëria. Cilatdo qofshin konkluzionet e raportit të Komisionit Europian, Këshilla ime për ju është se ju duhet ta konsideroni atë si një sfidë, si një apel për vendin për të vazhduar dialogun, që do të zgjidhte këtë situatë dhe në mënyrë që kjo të mos përsëritet edhe në raportin e vitit të ardhshëm. Sepse koha po punon kundër Shqipërisë. Koha po punon kundër jush”, është shprehur një zyrtar tjetër.

Nga debatet mes parlamentarëve shqiptarë nuk u reflektua aspak fryma e dialogut, aq sa njëri nga europarlamentarët është larguar nga mbledhja, duke shpresuar që në fund të takimeve, të premten të mund të arrihet në një deklaratë të përbashkët, për të cilën palët dështuan pak muaj më parë në takimin e Brukselit.

Top Channel