OSBE, procedura e regjistrimit të pronave

03/11/2010 08:35

1.5 milionë euro nga Bashkimi Europian dhe 186 mijë euro nga qeveritë e Greqisë, Çekisë, Zvicrës dhe SHBA-ve është shuma e parave të vëna në dispozicion për regjistrimin e parë të tokës në zonën bregdetare të Shqipërisë.

Prezenca e OSBE-së ka bërë të ditur për gazetën “Shqip” se projekti në fjalë, që mbyllet në dhjetor të vitit 2011, do të vihet në zbatim nga kompania spanjolle “Tracasa”, e cila ka fituar tenderin e zhvilluar me këtë rast.

Ajo është degë e Agjencisë Kadastrale të Qeverisë Rajonale të Navarrës, e krijuar 28 vjet më parë dhe ka një eksperiencë në fushën e projekteve ndërkombëtare të lidhura me regjistrimin e tokës, shërbimet kadastrale, kartografinë dhe zhvillimin e Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS).

Sikurse edhe thuhet në deklarimin e Prezencës së OSBE-së, ky është regjistrimi i parë që kryhet për zonën e Bregdetit, brenda së cilës përfshihet hapësira që nis nga Orikumi e deri në kufi me Greqinë. Thënë ndryshe, projekti do të trajtojë të gjithë rivierën shqiptare e më tej, për të dhënë në finale një produkt regjistrimi, i cili do të shërbejë si premisë e pajisjes së pronarëve me vërtetime pronësie.

Veprimtaria e kompanisë në fjalë rregullohet nga Memorandumi i Mirëkuptimit që është nënshkruar mes Prezencës së OSBE-së dhe Ministrisë së Drejtësisë. “Prezenca ka përfituar nga mbështetja dhe bashkëpunimi me Zyrat e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë vendor”, thuhet në mbështetje të këtij fakti në informacionin e dhënë për gazetën “Shqip”.

Për t’iu kthyer edhe njëherë çështjes së vërtetimit të pronësisë, regjistrimi i nisur do të shërbejë si bazë të dhënash për autoritetet shqiptare të cilat janë subjektet e vetme që kanë të drejtën e lëshimit të një dokumentacioni të kësaj natyre.

“Lëshimi i certifikatave të tilla është përgjegjësi e institucioneve shtetërore përkatëse. Projekti synon të krijojë bazën mbi të cilën mund të merren më vonë vendime të tilla”, sqaron Prezenca e OSBE-së.

Pavarësisht ndarjes së qartë të punës është shumë e qartë se interesimi i posaçëm për çështjen e tokës në bregdet sjell një nëntekst politik që lidhet me ndjeshmëritë e larta që ka kjo zonë në këtë drejtim. Reforma e pronësisë është një nga angazhimet kryesore të OSBE-së në Shqipëri dhe në këtë kuptim Bregu paraqitet si një nga territoret më problematikë.

Nuk duhet harruar se roli i prezencës në këtë situatë fiton karakterin e një ndërmjetësimi që priret të zgjidhë problemet që ekzistojnë aktualisht dhe që janë formalizuar në krijimin e shoqatave të posaçme, por edhe situatave të tensionuara. Këtu është me vend të kujtohet se një nga çështjet më të trajtuara që Gjykata e Strasburgut ka në adresë të qeverive shqiptare është pikërisht ajo që ka të bëjë me pronat. Aq e vërtetë është kjo, saqë sikurse bëri të njohur gazeta “Shqip”, pak kohë më parë, ekzekutivi i tanishëm i kërkonte gjykatës të pezullonte marrjen e vendimeve për kompensim financiar për shkak të mungesës së fondeve.

Një dosje e cila me projektin në fjalë gjen një zgjidhje të pjesshme në rang vendi, por të kënaqshme për zonën e Bregdetit.

Top Channel