Shumë njerëz mendojnë se kur vjen koha e gjumit çdo organ i trupit do të pushojë. Por në fakt, nuk ndodh kështu. Zona të trurit vazhdojnë të punojnë duke bërë që ngjarjet që kemi kaluar gjatë ditës apo në të kaluarën të shfaqen gjatë gjumit nëpërmjet ëndrrave.

Gladiola Musabelliu, pedagoge e psikoterapisë që mban leksionet e kapitullit të ëndrrave në Fakuletin e Shkencave Sociale, thotë se kjo na ndodh të gjithëve, madje dhe bebeve në barkun e nënës.

“Studimet tregojnë që edhe bebet në barkun e nënës shohin ëndrra, madje edhe pasi lindin 80 përqind të kohës së gjumit janë në ëndrra”, thotë Gladiola.

Arsyeja që shohim ëndrra është ende e pashpjeguar shkencërisht si dhe shumë pikëpyetje që ngrihen me aktivitetin e trurit të njeriut gjatë proçesit të ëndërrimit.

Por ajo që është vërtetuar dhe që theksohet vazhdimisht nga psikoterapistët të cilët e vlerësojnë ëndrrën si një mjet të rëndësishëm të terapisë është se të shohësh ëndrra është shumë mirë.

“Ëndrrat janë shëruese. Ato ndihmojnë psiqikën e njeriut të ballancohet, duke bërë shkarkesa të ngarkesës që s’ka arritur të asimiliohet gjatë aktvitetit ditor”, shprehet Gladiola.

Pra, ëndrrat gjihmonë na bëjnë mirë edhe kur janë traumatike. Sipas studimeve, ato përpiqen të sjellin në vëmendjen tonë diçka që duhet të marrim në konsideratë madje dhe mesazhe se si duhet të sillemi gjatë situatave të reja që na dalin dhe të cilat na shqetësojnë. Por si i sheh shkenca ëndrrat profetike? Ato që i shohim dhe që shumë njerëz pretendojnë se janë domethënëse për të ardhmen?

“Ka dhe ëndrra parashikuese që shikohen nga persona të veçantë që kanë veti ndijuese më të madhe se personat e tjerë”, shpjegon Gladiola.

Shpjegimi i ëndrrave është gjithmonë thelbi i kuriozitetit njerëzor. Çfarë duan të na thonë ëndrrat. Nëse sot mund të ketë një mori burimesh ku mund të drejtohemi që nga librat e shumtë e deri tek psikoanalistët, të cilët shkenca i pranon si të vetmit shpjegues të ëndrrave, dikur kjo ishte më e kufizuar.

“Drejtoheshim tek të vjetrit. Ata dinin për të shpjeguar ëndrrat se kanë jetuar në një kohë shumë më të gjatë”, thekson nënë Prena.

Por si shpjegoheshin disa ëndrra të cilat konsideroheshin si më të shpeshtat dhe më domethënëset? Nënë Prena na tregon disa prej tyre.

“Kur shihje kalë ishte hasëm, uji i turbullt sëmundje, kurse delja e sigurt që është vdekje”, thekson Prena.

Linja tradicionale e shpjegimit të ëndrrave është pothuaj krejt e kundërt me atë shkencore. Megjithatë ekziston një simbolikë universale e provuar nga shumë studiues që janë marrë me këtë çështje që ndihmon për shpjegimin e ëndrrave.

“Të shikosh veten të zhveshur në ëndërr është një lloj paralajmërimi që duhet të dalësh. Ëndrra të thotë nëpërmjet simbolikës që duhet të veprosh. E ngrëna e tepërt në ëndërr ka të bëjë me urinë seksuale”, shprehet Gladiola.

Ajo çfarë rezulton më intersante është se pavarësisht linjave të ndryshme të shpjegimit të ëndrrave, interpretuesi më i mirë i saj është vetë personi që ka parë ëndrrën.

“Interpretuesi më i mirë i ëndrrës është vetë personi. Mjafton të marrësh një libër dhe stililaps dhe të shkruash sa herë zgjohesh. Është mirë që ëndrrave t’i kushtosh vëmendjen dhe për një periudhë kohë të mbash këtë bllok dhe të konsultohesh me një psikolog”, thotë Gladiola.

Ëndrrat përgjithësisht shihen para mesnatës dhe në orët e para të mëngjesit dhe zgjasin nga 10 deri në 45 minuta.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel