Meta: Rezultat spektakolar në zgjedhje

03/11/2010 18:35

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në fjalën e tij në takimin organizativ të Lëvizjes Rinore për Integrim, ka deklaruar se Shqipëria ka arritur shumë në 20 vitet e fundit, duke u kthyer nga një vend eksodesh në një vend që po i afrohet gjithnjë e më shumë Evropës.

“Në këto 20 vite, LRI sot përfaqëson organizatën më të fuqishme që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Në këto vite vendi ka arritur shumë, duke pasur parasysh se cfarë përfaqësonte Shqipëria në vitet 90, kur njerëzit vriteshin për të kaluar kufirin dhe atë që përfaqëson sot”, ka deklaruar Meta.

Sipas ish-ministrit të Jashtëm, vendi ynë arriti t’i plotësojë në një kohë rekord kushtet e vendosura nga BE për të përfituar liberalizimin e vizave.

“Shqipëria i ka plotësuar të gjitha standartet për heqjen e vizave dhe tani ju mund të merrni eksperiencat e të rinjve evropianë”, iu është drejtuar Meta të rinjve.

Kryetari i LSI-së ka shprehur më tej edhe ambicjen e partisë së tij për të fituar një rezultat “spektakolar” në zgjedhjet e ardhshme.

“Të arrijmë një rezultat spektakolar për të gjitha rrethet e Shqipërisë. Të krijojmë një politikë besnike ndaj njerëzve, për një Shqipëri të vërtetë evropiane”, ka shtuar Meta.

Në këtë takim organizativ të LRI-së bëri prezantimin e tij edhe deputeti i larguar së fundmi nga PS, Vangjel Tavo, i cili u shpreh i gatshëm të punojë me “miqtë” e tij në LSI.

“Jam këtu që të bashkëpunoj me miqtë e mi Luan Rama, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Të punojmë që LSI të ecë përpara dhe të forcohet cdo ditë”, deklaroi Tavo.

Top Channel