Pasuritë, Rama i pastër

02/11/2010 20:00

Edi Rama është i larë dhe mund të marrë frymë lirisht. Sipas Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, kryebashkiaku i Tiranës nuk ka fshehur asgjë në deklarimin e pasurisë së tij.

Edi Rama ka qenë zyrtari i parë i lartë i hetuar, pas hedhjes së shortit në muajin prill.

Në përfundim të kontrollit të plotë, thuhet në njoftimin për shtyp, rezulton se vetëdeklarimi dhe të dhënat e marra nga ILDKP në të gjithë regjistrat publikë dhe privatë, përputhen.

Gjatë veprimeve kontrolluese, Inspektorati i Lartë ka kërkuar informacion nga Bashkia Tiranë për marrëdhënien që mund të kishte krijuar me këtë institucion shtetasi Dritan Avllaj, i njohur ndryshe si “Tan Lepri”.

Nga përgjigjja zyrtare e bashkisë rezulton se ky shtetas, për të cilin ka pasur diskutime në media se ka lidhje interesash private me subjektin Edi Rama, nuk ka lidhur kontrata dhe nuk ka përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Në lidhje me Dritan Priftin, ai u hetua pas informacioneve në media në korrik të këtij viti. Në përfundim, Inspektorati ka krijuar dyshime se nga ana e tij dhe e bashkëshortes janë kryer veprime të kundraligjshme në mënyrën e krijimit të pasurive, në rastin e rritjes së përqindjes së aksioneve në kompaninë “FORTIS 2” sh.p.k.

Inspektoriati ka gjobitur me 300 mijë lekë zotin Prifti për shkak të konfliktit të interesave si ministër, në emërimin e shtetasit Rasim Hamzaraj si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe vetë shtetasin Rasim Hamzaraj me 30 mijë lekë për refuzim të deklarimit.

Për shkeljet e evidentuara, Inspektorati ka vënë në dijeni organin e Prokurorisë, Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për të vijuar hetimin dhe kontrollet në kompetencë të tyre.

Me gjobë 30 mijë lekë është gjobitur edhe Arian Tartari, partneri i deputetes Albana Vokshi, për refuzim të deklarimit të pasurisë.

Mungesa e ndëshkimit në Kodin Penal për mospërmbushjen e detyrimit për deklarim nga ana e “personit të lidhur”, thuhet në njoftimin për shtyp të Inspektoratit, e detyron atë të mos marrë masa të mëtejshme.

Por nisur nga raste të tilla, Inspektorati propozon ndryshimin e kuadrit ligjor.

Vetë deputetja Albana Vokshi është ende në proçes hetimi, pas dyshimeve të hedhura në media.

Në proçes hetimi administrativ është edhe ministrja Majlinda Bregu pas disa informacioneve që kanë mbërritur në Inspektorat në numrin pa pagesë 0800 99 99.

Vetë ministrja ka kaluar në kontroll të plotë, por është në shqyrtim “deklarimi me kërkesë” i “personit të lidhur” me Majlinda Bregun, kunati i saj Hektor Ajazi, i cili e ka dorëzuar formularin e interesave private në Inspektoratin e Lartë.

Inspektorati njofton se ka gjobitur 12 zyrtarë të tjerë më të vegjël.

Top Channel