Për më shumë se një dekadë Kosova ka pasur 5 kryeministra: Bajram Rexhepi, Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi, Agim Çeku dhe së fundmi Hashim Thaçi, janë politikanët të cilët kanë drejtuar Ekzekutivin.

Zgjedhjet e para parlamentare pas përfundimit të luftës në Kosovë, u zhvilluan më 17 nëntor të vitit 2001. LDK doli e para, ndërsa PDK u rendit e dyta.

Ato vite do të mbahen mend si periudhë me raporte të tensionuara ndërmjet këtyre dy subjekteve politike, që njëra kishte përkrahur paqen për të arritur lirinë, ndërkaq tjetra, respektivisht njerëzit e PDK-së, kishin qenë pjesë e luftës së UÇK-së.

Më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës, Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin nga PDK si kryeministrin e parë dhe Ibrahim Rugovën si president.

Rexhepi do të përfundonte mandatin e tij të rregullt si kryeministër i parë i Kosovës së pasluftës pas zgjedhjeve të vitit 2005, ku PDK do të mbetej jashtë bashkëqeverisjes.

Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi të bënte koalicion me partinë e Ramush Haradinajt, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas marrëveshjes Ramush Haradinaj do të merrte mandatin për të formuar Qeverinë e Kosovës. Por, për fatin e tij të keq ai do të qëndronte kryeministër vetëm 100 ditë.

Ai akuzohej për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në ish Jugosllavi. Kur padia u lëshua në mars të 2005-ës Ramush Haradinaj zgjodhi të largohej nga posti i tij si kryeministër. Ditë më pas ai udhëtoi vullnetarisht për në Hagë, ndërsa vendin e tij e zuri Bajram Kosumi, një anëtar i së njëjtës parti, i cili mbante postin e ministrit të Mjedisit.

Në vitin 2006 në Kosovë do të kishte zhvillime të shumta. Në njërën anë janë bisedimet për statusin final politik dhe më 21 janar pas një sëmundjeje do të ndërronte jetë presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Në vend të tij erdhi profesor Fatmir Sejdiu.

Por, fundi i Bajram Kosumit do të jetë më ndryshe sesa i dy paraardhësve të tij. Pas shumë presioneve për performancën e dobët ai do të jap dorëheqje nga posti i tij.

Pas bisedave ndërmjet LDK-së dhe AAK-së, presidenti i ri i Kosovës, Fatmir Sejdiu, mandaton Agim Çekun për të formuar qeverinë e re. Kuvendi i Kosovës e aprovoi atë si kryeministër i Kosovës më 10 mars të vitit 2006. I njohur edhe nga lufta e UÇK-së, emërimi i Çekut do të zgjonte reagime edhe në Serbi.

Në Beograd ishin kundër drejtimit të qeverisë nga ish komandanti i UÇK-së, me arsyetimin se pala shqiptare po bëhet radikale. Agim Çeku kishte lënë postin e komandantit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, për të ushtruar funksionin e kryeministrit deri më 9 janar të 2008-ës.

Në zgjedhjet e nëntorit të 2007-ës, për herë të parë partia e Hashim Thaçit kishte arritur të dalë e para. Megjithatë për PDK-në ishte e nevojshme të bënte aleancë. Pak kush e kishte pritur se këtë do ta bënte me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por kështu ndodhi.

Në janar të 2008-ës PDK dhe LDK arrijnë një marrëveshje sipas së cilës posti i kryeministrit do t’i takojë PDK-së, ndërsa ai i presidentit, LDK-së. Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër i qeverisë së Kosovës, më 9 janar 2008. Pas një muaji, në kuvend do të lexonte deklaratën që e shpall Kosovën shtet të pavarur.

Pas gati 3 vitesh bashkëqeverisjeje, raportet e dy aleatëve qeverisës fillojnë të acarohen. Gjykata Kushtetuese e deklaron Fatmir Sejdiun shkelës të Kushtetutës meqë ushtroi dy funksione në të njëjtën kohë, atë të kreut të LDK-së, dhe të presidentit.

Fatmir Sejdiu zgjedh të shkojë në LDK dhe jep dorëheqje nga posti i të parit të shtetit. Disa ditë më vonë LDK-ja merr vendimin që të prishë aleancën qeverisëse të janarit të 2008-ës, me PDK-në.

Gjysma e qeverisë mbetet bosh. Kosova futet në krizë të thellë institucionale. AKR inicion një mocion votëbesimi për qeverinë Thaçi dhe arrin që të mbledhë firmat e 40 deputetëve.

Më 2 nëntor 2010 deputetët e Kuvendit të Kosovës votojnë për të rrëzuar qeverinë Thaçi. Ai do të jetë edhe për pak kohë në qeveri por, si kryeministër në largim deri në rezultatin e ri të zgjedhjeve.

Është hera e parë që në Kosovë organi më i lartë shtetëror, Kuvendi, rrëzon një qeveri, dhe në këtë mënyrë shënon fundin e papreçedent të kryeministrit dhe gjithë kabinetit të tij.

Tani, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare si mundësi që të tejkalohet kriza e thellë institucionale në të cilën si asnjëherë më parë ka hyrë Kosova.

Top Channel