Kriza e borxhit shqiptar

27/10/2010 15:45

Përvecse një nga vendet me borxhin publik më të madh në rajon, Shqipëria ka dhe faturën më të lartë të interesave për të paguar.

Sipas të dhënave zyrtare qeveria shqiptare vetem kete vit per interesat e borxhit do te paguajë sa 13 për qind të të ardhurave të buxhetit. Kjo faturë është dy herë më e lartë nga ajo që paguan qeveria rumune, 6 herë më shumë nga Bullgaria dhe 4 pikë përqindje më e lartë nga Maqedonia. Madje barra e kostos që paguan Shqipëria për borxhin është më e lartë edhe se sa vendet që sot konsiderohen më problematike, duke qenë në të njëtin nivel gati me atë të Greqisë, fqinjin tonë që rrezikoi falimentin buxhetor.

Vetëm qeveria greke paguan tani 14 për qind të të ardhurave të buxhetit për interesat e borxhit të saj. Në Spanjë dhe Portugali, dy vende të tjera me borxh të lartë, qeveritë paguajnë për shërbimin e tij respektivisht 6 dhe 7 për qind të të ardhurave buxhetore. Interesat e borxhit po bëhen barrë për buxhetin dhe shqetësimi është se tendenca e tyre eshte ne rritje pas shumë vitesh rënie.

Sipas te dhenave zyrtare në nëntë muajt e parë të vitit pagesat e qeverisë për interesat e borxhit ishin mbi 300 milionë dollarë, 20 për qind më shumë se vitin e kaluar. Qeveria do shpenzojë për gjithë vitin 435 milionë dollarë për të paguar interesat e borxhit të saj, ose 3.5 për qind të Produktit kombëtar nga 3 % që ishte shifra vitin e kaluar.

Kjo për shkak të disa faktorëve që kanë të bëjnë me rritjen e interesave që solli kriza globale, marrjen e kredive tregtare nga jashtë, por edhe deficitet e larta në dy vitet e fundit. Tashmë Shqipërisë i duhet që për të shërbyer borxhin e saj, të paguaje cdo vit një shifër që shkon deri në 65 për qind e fondit të investimeve publike.

Top Channel