Kredi për bizneset e grave

26/10/2010 08:05

Kredi, por edhe trajnim profesional për gratë që guxojnë të lëvrojnë aftësitë e tyre edhe në fushën e biznesit.

Komoditeti do të jepet me ndërmjetësim të Ministrisë së Punës. Krijimi i lehtësirave në tregun e punës për gratë në vendin tonë do të jetë një nga prioritetet e Ministrisë së Punës në muajt në vazhdim.

Në një takim me gra përfaqësuese të bizneseve që operojnë në vend, si dhe me donatorë që ndihmojnë në punësimin e grave, ministri i Punës, Spiro Ksera, u shpreh se fuqizimi ekonomik i grave do të jetë objekti kryesor, pasi ajo ndikon dhe në fuqizimin ekonomik të vendit.

Bizneset e grave

Aktualisht në Shqipëri, mbi rreth 30 mijë biznese të vogla drejtohen prej grave. Zv/ministrja e Mjedisit, Filloreta Kodra, vuri theksin në rëndësinë e krijimit të një lobingu të grave, të cilat merren me biznes dhe që do të synojnë në mbështetjen e zhvillimin e bizneseve të drejtuara nga gratë dhe mbështetjen që MPCSSHB do t’i japë kësaj iniciative.

“Ne vlerësojmë se fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave mund të arrihet përmes krijimit të mundësive të punësimit, ofrimit të kredive lehtësuese për sipërmarrje, nxitjes dhe mbështetjes së grave në sipërmarrje, mosdiskriminimi në tregun e punës, uljes së informalitetit të punës së grave”, tha Spiro Ksera, ministër i Punës. Në fjalën e tij, ministri Ksera përmendi arritjet në fushën e barazisë gjinore, si përmirësimi i legjislacionit, hartimi e zbatimi i politikave gjinore dhe kundër dhunës në familje, masat pozitive të ndërmarra për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në tregun e punës, nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit dhe formimit profesional, ku “vetëm brenda vitit 2009 përfitueset gra zinin 80% të përfituesve”. Zv.ministrja Filloreta Kodra u ndal në situatën e pafavorshme me të cilën ballafaqohen gratë në tregun e punës.

Statistikat

“Përmirësimi i aksesit në arsim dhe përfitimi i aftësive përmes një promovimi të synuar të aftësive profesionale, mund të hapë rrugën për një profesion që gjeneron të ardhura dhe mund të rrisë shanset e tyre që të marrin pjesë në mënyrë efektive në tregun e punës”, u shpreh Kodra.

“Femrat janë të punësuara më tepër në sektorët e shëndetësisë e arsimit dhe më pak në sektorë të tjerë, përfshirë bar-restorante, prodhimi, tregtia etj. Sipas studimit të forcave të punës për vitin 2008, të publikuar nga INSTAT-i, diferenca në pagë midis femrave dhe meshkujve rezulton në një shifër prej 19,2%”, u shpreh Kodra.

“Aplikimi i tarifave falas për vajzat dhe grave në nevojë është një prioritet i MPÇSSHB, ku me përparësi trajtohen gratë dhe vajzat nga komuniteti rom, gra e vajza të trafikuara, të dhunuara, gra kryefamiljare”, deklaroi Kodra. Kodra vlerësoi progresin që ka arritur biznesi dhe veprimtaritë e ndryshme që drejtohen nga gratë sot në vendin tonë, si një forcë e rëndësishme që kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.

Top Channel