Fullani: Ekonomia ok

26/10/2010 20:35

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi se situata ekonomike ka vazhduar të përmirësohet edhe në tremujorin e tretë.

“Rritja ekonomike është përshpejtuar. Baza e saj është zgjeruar. Pozicioni i jashtëm i ekonomisë është përmirësuar, interesat në tregun financiar kanë rënë”, tha Fullani.

Por kreu i bankës parlajmëron se ekonomia shqiptare është e mbivarur nga sektori i jashtëm, duke parlajmëruar se këto zhvillime pozitive mund të jenë të paqëndrueshme.

“Ndonëse pozitiv, ritmi i rritjes ekonomike, duket se është i pamjaftueshëm për të prodhuar një përmirësim të qënësishëm në tregun e punës dhe uljen e papunësisë. Po kështu qëndrueshmëria e rritjes ekonomike mbetet e brishtë në kushtet afatmesme. Mbështetja e saj në kërkesën e huaj dhe rritjen e eksporteve mund të jetë e pamjaftueshme në kontekstin e prespektivës jo të konsoliduar të ekonomisë botërore”, tha Fullani.

Një tjetër shqetësim mbetet ngërci i kredisë, për të cilën guvernatori dha sot një shpjegim të ri.

“Analizat tona mbi kreditimin e ekonomisë tregojnë se kërkesa e ekonomisë është ende e ulët dhe numri i projekteve të vlefshmë për t’u kredituar është ende i vogël”, theksoi Fullani.

Rritja ekonomike ishte 2 përqind në tremujorin e parë dhe 3.3 përqind në tremujorin e dytë sipas Institutit të Statistikave.

Top Channel