Basha: Vrasja e kryekomunarit, jo politike

26/10/2010 15:10

Në një reagim të parë pas vrasjes së kryekomunarit, ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka deklaruar se nga hetimet paraprake nuk rezulton asnjë e dhënë që ta lidhë këtë si një vrasje për shkak të detyrës.

“Janë angazhuar ekspertët më të mire dhe po hetohet në disa pista për këtë ngjarje. Për momentin duket se përjashtohet pista e vrasjes për shkak të detyrës”, tha Basha.

Në reagimin e saj Partia Socialiste solli në kujtesë vrasjen 2 vjet më parë të deputetit Fatmir Xhindi, ende e pazbardhur nga policia. Deputeti Namik Dokle tha se të dy vrasjet janë kryer në prag fushate elektorale dhe u kanë marrë jetën dy të zgjedhurve socialistë, të projektuar për t’u rikandiduar nga Partia. Deputeti Dokle akuzoi autoritetet se po e mbulojnë me terr qysh në fillim edhe vrasjen e kryekomunarit Remzi Veseli:

“Të dy vrasjet të mbuluara nga terri dhe papërgjegjshmëria e skajshme e shtetit, e qeverisë, e policise. Ka 18 muaj që organet përgjegjëse nuk kanë bërë asgjë për zbulimin e vrasësve të deputetit Fatmir Xhindi. Edhe vrasja e Remzi Veselit që në ditën e parë pas ndodhjes filloi të mbulohej me terr e mjegull. Vrasësit kanë ikur në drejtim të paditur dhe pushteti e policia bëjnë të paditurin”, tha Dokle.

Zoti Dokle tha se Partia Socialiste kërkon urgjentisht zbardhjen e vrasjes së të dy përfaqësuesve socialistë.

Top Channel