Berisha: Tryezë për reformën zgjedhore

18/10/2010 14:30

Të premten paradite, me ftesë të kryeministrit Sali Berisha, partitë politike do të ulen rreth një tryeze të përbashkët për të nisur punën për reformën elektorale, duke përkthyer në amendamente ligjore rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për përmirësimin e procesit zgjedhor.

Deri më sot, cështja e reformës elektorale është trajtuar, historikisht, nga një komision bipartizan parlamentar, por, sipas kryeministrit Berisha, tryeza është e domosdoshme në kushtet kur Partia Socialiste nuk ka pranuar ofertën e Partisë Demokratike, në muajin shtator.

Sipas kësaj oferte, demokratët propozonin hetim parlamentar të zgjedhjeve ose, duke zbatuar nenin 178, pika 6 e Kodit Zgjedhor, që do të thotë marrje e materialeve zgjedhore nga arkiva e shtetit dhe djegie e fletëve të votimit, ose që komisioni hetimor për zgjedhjet e kaluara të niste punen me 10 cështjet e tjera të kërkuara për hetim nga Partia Socialiste, ndërsa kutitë me materialet zgjedhore të shqyrtoheshin pasi të vinte një opinion nga Komisioni i Venecias për fletët e votimit.

Kryeministri Berisha kujtoi se në propozimet e demokratëve bën pjesë edhe oferta për të votuar cdo amendament të socialistëve për Kodin Elektoral, pasi ato të kenë kaluar ekspertizën e OSBE/ODIHR-it apo të Komisionit të Venecias.

“Kjo ofertë, më e gjera, më maksimalja, ka gjetur refuzimin konstant të PS. Atëherë ne do të thërrasim tryezën e forcave politike dhe të fillojmë nga puna, me vullnetin që nga fundi i këtij sesioni ato rekomandime të mund të votohen”, ka deklaruar Berisha.

Meqë ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkojnë 84 vota dhe duke ndjekur traditën e miratimit të kësaj reforme me konsensusin e dy partive të mëdha, kryeministri Berisha kërkoi bashkëpunimin e kreut të opozitës Edi Rama.

“Uroj dhe dëshiroj që zoti Rama të mos e pengojë grupin e vet të marrë pjesë në këtë proces, sepse refuzimi i tij do të duket sikur të jep dicka në dore, por të kthehet kundër. Do të jenë të shumtë ata që do të thonë se reforma në Shqipëri u pengua për qëllime jodemokratike”, ka pohuar Berisha.

Tre jave më parë komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle, nëpërmjet një letre, i kërkoi kryeministrit Berisha të kontribuonte në zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri, në mënyrë që duke garantuar transparencën për zgjedhjet dhe duke respektuar Kushtetutën, të mund të arrihej në bërjen e reformës elektorale në mënyrë që zgjedhjet lokale të zhvillohen sipas standarteve më të larta demokratike.

Mungesa e konsensusit politik për reformat kryesore të vendit mund të jetë një nga arsyet që më 9 nëntor, Komisioni Europian të japë opinion negativ për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat, gjë të cilën kryeministri Berisha e la të kuptohej fare tërthorazi.

“Gjykoj se nuk duhet të udhëhiqemi nga asgjë tjetër përvec detyrimeve që kemi përpara shqiptarëve në rrugëtimin tonë drejt Europës”, ka shtuar kryeministri.

Top Channel